LAJMI I FUNDIT:

“Në Zot besojmë”: Pse amerikanët nuk e votojnë ateistin për president?

“Në Zot besojmë”: Pse amerikanët nuk e votojnë ateistin për president?

Pohimet se themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg, po mendon të garojë për president të SHBA-ve në vitin 2020, do të dukeshin të ‘çuditshme’ deri në ditët e fundit të vitit të kaluar, kur ai kishte postuar një mesazh në Facebook që thoshte: “Gëzuar Krishtlindjen dhe Hanukahn – nga Priscilla, Max, Beast dhe nga unë” (duke ju referuar gruas, vajzës dhe qenit të tyre).

Ateistët janë më të ndjeshëm dhe më humanë!?
Lexo po ashtu Ateistët janë më të ndjeshëm dhe më humanë!?

Ky mund t’ju duket si mesazh i rëndomtë urimi nga një CEO, por një komentues ia kishte rikujtuar Zuckerbergut se ai për një kohë të gjatë ishte identifikuar si ateist, transmeton Telegrafi.


Çfarë kishte ndryshuar?

Përgjigja e Markut në atë koment ishte: “Jam rritur si hebre dhe pastaj kam kaluar përmes një periudhe ku i kam vënë shumë gjëra në pikëpyetje. Tash besoj se religjioni është i rëndësishëm”.

Ky qëndrim ishte indikacion se ‘magjistari i teknologjisë’ synon fronin e Shtëpisë së Bardhë.

Për Zuckerbergun do të ishte veprim taktik pranimi i një prej rregullave të arta të politikave amerikane: amerikanët e votojnë për president një ateist! Ky parim është konfirmuar edhe nga një studim i ri i cili thotë se njerëzit (shumica fetare) janë të përgatitur ta mendojnë më të keqen për ateistët, duke besuar se njerëzit pa besim janë më të aftë të kenë sjellje amorale sesa religjiozët!?

Udhëheqësi i këtij studimi, Will Gervais nga Universiteti i Kentuckyt, për prestigjiozen “The Times” thotë se ka qenë i inspiruar ta kryejë këtë hulumtim nga të dhënat që sugjeronin se votuesit amerikanë janë më pak të prirë ta votojnë një ateist sesa ndonjë kandidat të çfarëdo kategorie tjetër – përfshirë personat homoseksualë apo myslimanë.

Gervais thotë se votuesit e konsiderojnë besimin në Zot si gjë thelbësore sa i përket moralit, ndërsa ateistët i shohin si njerëz të cilët janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo – përfshirë shkelmimin e këlyshëve, kanibalizmin e lehtë, të bëjnë hile në lojëra etj.

Ekspertët politikë të SHBA-ve kanë punuar gjatë në këtë supozim. Dokumentet e publikuara të Partisë Demokratike tregojnë se aleatët e Hillary Clintonit, në vitin 2016 kishin marrë parasysh një plan që ta etiketonin kundërkanditatin Bernie Sanders si ateist, me bindjen se kjo do t’i kushtonte me humbje të mëdha të pikëve në shtetet ku njerëzit janë religjiozë. Por, Sanders – i cili është hebre – menjëherë kishte deklaruar se nuk ishte ateist!

Kjo do të thotë se asnjë kandidat ateist nuk ka fituar nominimin presidencial, të çfarëdo partie të madhe. Personat morali personal i të cilëve ishte i dyshimtë, kanë nxituar ta konfirmojnë besimin e tyre në Zot. Shembulli më skandaloz për këtë është ‘kryefamiljari’ i tanishëm i Shtëpisë së Bardhë. Pavarësisht se kishte jetuar një jetë dedikuar pasurisë, Donald Trump ishte përkrahur nga votuesit religjiozë, të cilët i kishin pranuar deklarimet e tij të devotshmërisë dhe e kishin parë atë po aq të pranueshëm sa Clintonin – një vizitore e shpeshtë në kishë!

Kjo sugjeron se përderisa amerikanët presin nga politikanët të kenë besim në Zot, ata nuk kërkojnë shumë qëndrueshmëri nga ta! /Telegrafi/