LAJMI I FUNDIT:

‘Në zemër të COVID-19’, pamje dhe rrëfime nga Klinika Infektive në Prishtinë

Prej 13 marsit të këtij viti, Kosova bashkëjeton me COVID-19, sëmundja që paralizoi botën. Coronavirusi është ngulitur në mendjet tona duke lexuar dhe shikuar se si kjo sëmundje po merr jetë njerëzish.

Prej kohësh kemi dëgjuar për heroizmin e mjekëve, por nuk kemi parë luftën e tyre të përditshme. Kemi dëgjuar për pacientë në gjendje të rëndë por nuk kemi parë betejën e tyre me jetën.

KP sjell pamje dhe rrëfime ekskluzive nga brenda Klinikës Infektive, mes vuajtjeve të pacientëve dhe rrotull mjekëve e infermierëve.

Para hyrjes në Klinikën Infektive, fillimisht duhet që ekipi ynë të marrë masat me veshjet përkatëse.

Mjekët dhe infermierët tashmë janë mësuar që veshjen, maskat dhe mburojën ta mbajnë me orë të tëra, por kjo bëhet më e vështirë me ardhjen e ditëve të nxehta të verës. Megjithatë, kjo i mbron ata nga infektimi me Coronavirus.

Ankthin që të pushton korridoreve të Infektivës e largon vetëm mendimi për mjekët dhe infermierët të cilët prej muajsh po përballen me armikun e padukshëm.

Derisa hyjmë në Infektivë, sytë të shohin bombola të oksigjenit të cilat shpesh janë të nevojshme për pacientët e prekur me COVID-19, për të cilët tashmë dhomat e e kësaj klinike janë shtëpia e tyre e re dhe e padëshiruar prej së cilës mezi presin të dalin shëndosh e mirë.

Në korridorin e repartit B ku ishin të shtrirë 22 pacientë të prekur me COVID-19 në gjithsej 11 dhoma ishin dy infermierë që po përgatisnin terapinë për t’ua dhënë pacientëve të cilët në çdo moment kishin nevojë për ndihmë.

Tash e më shumë se katër muaj, Gëzim Morina, infermier në Klinikën Infektive po përgatit terapitë për pacientët e prekur me COVID-19. Ndonëse në çdo hap po i rrezikohet shëndeti i tij, ai vazhdon punën pandërprerë duke u dalë në ndihmë pacientë.

Për Morinën fillimi i ballafaqimit me armikun e quajtur COVID-19 ka qenë i vështirë dhe stresues por me kalimin e kohës ai u adaptua.

Sa më shumë që kalojnë ditët, javët e muajt, për të bëhet më e vështirë, pasi kontaktet me familjarët i pakësohen.

“Tani jemi në repartin B të Klinikës Infektive.. këtu kemi 22 pacientë maksimumi që mund të vendosen i kem 11 dhoma, një dhomë i ka dy pacientë.. Në përgjithësi gjendja është stabile për momentin kemi pacientë që kanë nevojë për furnizim me oksigjen…Në fillim ka qenë një periudhë më e vështirë për arsye se ishte prania fillestare e virusit nuk e kemi ditur se me çfarë lloj virusi ose armiku kemi të bëjmë, nuk e kemi ditur se sa është efektive mbrojta me këto rroba…Kontakti me familjarët ka qenë minimal për arsye të zvogëlimit të rrezikut për përhapje të infeksionit ka qenë një periudhë e vështirë dhe vazhdon të jetë e vështirë sepse nuk kemi kontakte ditore me familjarët, më rrallë çdo dy tri javë apo një herë në muaj” , thotë Morina.

Në këtë Klinikë ku është epiqendra e pacientëve të prekur me koronavirus kanë ardhur edhe shumë mjekë e infermierë vullnetarë për t’u dalë në ndihmë pacientëve dhe kolegëve të tyre.

Njëri nga ta është infermieri i Klinikës së Dermatologjisë, Elvis Skenderi i cili thotë se përkundër stresit që kanë pasur në ditët kur në vend edhe u shfaqen rastet e para me coronavirus, tashmë janë mëshiruar me këtë gjendje, dhe po mundohen që sa më shumë t’u ofrojnë pacientëve shërbime të cilat janë të nevojshme për ta.

“Në fillim ka qenë stresi tash jemi mësuar me të nuk është shumë problem…Gjithmonë ndihen shumë mirë ne, mundemi të kryejmë punën tonë”, u shpreh ky infektolog.

Në Klinikën Infektive të shpeshta janë edhe rastet kur gjendja e pacientëve përkeqësohet e kërkohet edhe trajtim në repartet intensive.

Pacientes e cila sapo ishte pranuar në repartin A gjendja iu përkeqësua, me ngutin më të madhe mjekët e shoqëruan atë për në intensivë.

Për gjendjen e saj detaje dha drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha e cila tha se lëvizje të tilla brenda kësaj klinike janë të shpeshta.

“Pacientja është e pranuar si COVID pozitiv mirëpo me rënie të saturimit e cila nuk mundi të menaxhohej me masë të oksigjenit kështu që është dashur të bëhet transferimi i saj në mjekimin intensiv. Këtë gjendje tek ne brenda kujdestarive janë shumë të shpeshta, shpeshherë lëvizjet brenda klinikës ndonjëherë lëvizje nga mjekimi intensiv te mjekësia sportive por tash edhe në mjekim intensiv”, thotë drejtoresha e Klinikës Infektive.

Ajazaj-Berisha thotë se numri i pacientëve në Klinikën Infektive ndryshon vazhdimisht. Përkujdesja intensive sipas saj është e nevojshme edhe në repartet e tjera, jo vetëm në atë intensiv pasi 60 për qind e pacientëve janë me oksigjeno-terapi.

Gjendja e rënduar me COVID në vend dhe puna e madhe që duhet ta kryejnë stafi mjekësor i ka lodhur paksa ata, por drejtoresha e Klinikës Infektive thotë se vazhdojnë të ofrojnë ndihmë shëndetësore të gjithë atyre që kanë nevojë.

“Numri i pacientëve në klinik sillet rreth 100 kemi edhe mjekimin intensive 60 për qind e tyre zakonisht janë me oksigjenoterapi dhe në gjendje të rënduar që kërkojnë vazhdimisht përkujdesje intensive edhe nëpër reparte por edhe në mjekësinë intensive… Për stafin shëndetësor është një punë e lodhshme sepse është një punë dinamike është punë që gjatë gjithë kohës duhet të jesh aktiv , mirëpo ne përkundër kësaj lodhje dhe përkundër të gjithë mundit ne jemi pranë pacientëve dhje duhet të jemi pranë pacientëve dhe tu ofrojmë ndihmë shëndetësore sa më cilësore edhe përkundër lodhjes”, deklaroi Ajvazi-Berisha.

Zhurmat e aparaturave nëpër secilën dhomë ku ndodhen pacientët jep sinjalet për gjendjen shëndetësore të secilit, e dikush nga këto pajisje tashmë është liruar pasi ka tri javë që është i shtrirë në spital dhe tashmë gjendja e tij është përmirësuar.

Derisa i numëron ditët se kur do dalë nga kjo klinikë, ky pacient thotë se në ditët e para kur u shtri në repartin B të kësaj klinike u ndihmua për frymëmarrje nga oksigjeni pasi që virusi ia kishte sulmuar fytin dhe mushkëritë.

Përkundër gjendjes së tij, ai gjen forcë për të dhënë mesazh për gjithë qytetarët e Kosovës.

“Qe tri javë ditë mirë shumë po (ndihem).. Ka qenë pak frymëmarrja, apetiti ka munguar, plogështia, kolli fyti… Kam pasur nevojë për oksigjen, tani jo… Kam besuar më herët që ekziston virusi… Të respektojnë masat, mos ta zënë punën veç hajt se nuk ka virus, le ta dinë se ka dhe bajagi serioz”, tha ky pacientë.

Asnjëherë më parë nuk pati probleme me frymëmarrjen, por tash mezi flet. Kjo është gjendja e një tjetër pacienti i cili është duke qëndruar tash e 1 javë në Klinikën Infektive.

Ai thotë se temperatura ishte shenja e parë që i dha sinjal se ai është prekur nga coronavirusi.

“Keq jam prej zërit… me sheqer tash edhe zëri… jam nga sot një javë i shtrirë qysh kam ardhur unë mirë po e ndjejë vetën… Temperaturë kam pasur si shenjë e parë… Kurrë vetëm tani kam (problem me frymëmarrje)”, thotë ky pacientë.

Se ekziston virusi fare nuk kishte besuar, por pasi u prek nga COVID19 kjo paciente kërkon që sa më shumë qytetarë të tjerë të kujdesen sepse rreziku ekziston.

E asistuar për frymëmarrje nga pajisja e oksigjenit gjatë këtyre ditëve, ajo tashmë ka telashe edhe me temperaturë, ethe dhe dhimbje trupi.

“Kam qenë shumë në rrezik, po të tregoj drejtën, nuk kam besuar që ekziston (virusi) por tani të gjithë popullit po i tregoj se COVID-i ekziston, është diçka që ndoshta nuk shihet por ekziston. Tash shumë mirë jam… Që një javë jam me oksigjen… Kam pasur ethe, temperaturë, dhimbje trupi”, theksoi ajo.

E dikush, ka një porosi për një këngëtar që mohoi ekzsitencën e virusit.

“Labin shkoni intervistojeni që del para kamerave e thotë rrena janë këto… Ma mirë tash shumë prej të hënës jam këtu kurrë më mirë se sot nuk kam qenë”, i thotë këto fjalë me vështirësi ky pacient.

Përveç pacientëve e stafit mjekësor në Klinikën Infektive, ekipi i KosovaPress-it takoi edhe shoqërues të pacientëve. Njëri nga ta i cili e shoqëronte bashkëshorten e tij thotë se po i duhet të rrijnë brenda ambienteve të këtij spitali ani pse është negative me COVID19. Ai thotë gjendja e rënduar e bashkëshortes së tij po bën të detyrueshme qëndrimin aty ndonëse po rrezikon shëndetin e tij dhe të pjesës tjetër të familjes.

“Jam duke e shoqërua shoqen.. nuk ka kush tjetër por duhet të vijë rregullisht me ia ble disa injeksione edhe pse po ka të gjitha këtu por ndonjëherë po ndodh që nuk po ka për atë arsye duhet të vij… Po ndihemi shumë të rrezikuar dhe bëjmë apel që mos ta mendojnë që nuk është e vërtet, shumë është e vërtetë sa po shoh fakte këtu po iu bëj apel të gjithëve, është shumë rrezik, mbrojuni me maska sa të keni mundësi se kjo punë nuk është hajgare… Shumë jemi të kënaqur (me shërbimet ndaj pacientëve) më mirë nuk ka ku të shkojë, kontrollet janë shumë të mira nuk ka vërejtje”, thotë ai.

Që nga fillimi i muajit qershor, numri i personave të prekur me COVID-19 ka shënuar rritje, krahas saj është rritur edhe numri i personave që kanë humbur jetën. Kryesisht personat që humbën betejën me COVID-19 kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Duke parë shtimin e rasteve, trajtimi i pacientëve me coronavirus po bëhet edhe në Klinikën e Pomologjisë dhe atë të Neurologjisë, ndërsa rastet më të rënda po trajtohen në Klinikën e Mjekësisë Sportive.

Me trajtimin e këtyre pacientëve po merren edhe spitalet regjionale, ku gjatë kësaj jave Komiteti për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, vendosi që Spitalin e Vushtrrisë ta shndërrojë tërësisht në spital për pacientët e sëmurë me COVID-19.

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Kalo në kategori