Rama ndërpret marrëveshjen me BIRN-in e Jeta Xharrës për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka dërguar njoftimin zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel.
Vendimi, sipas Ramës, vjen pas reagimit të gazetares dhe aktivistes Besa Xharra lidhur me një çështje që ai e cilëson si mungesë transparence dhe që ka ngritur shqetësime publike.
Rama ka kritikuar deklaratën se “e dimë kush është, por nuk e tregojmë”, duke thënë se një qasje e tillë ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet rreth rastit.
“Eta Xharra, nuk paske dhënë asnjë sqarim për çështjen thelbësore. Përkundrazi, reagimi si i tillë ngriti edhe më shumë pikëpyetje!”, ka shkruar Rama në një reagim të tij.
Sipas tij, nëse identiteti i personit për të cilin është diskutuar dihet, atëherë mbetet pyetja se “kë po e mbroni?”.
“Përderisa këto pyetje mbesin pa përgjigje, si Kryeqytet nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka theksuar se hapësirat publike janë pronë e qytetarëve dhe nuk mund të shfrytëzohen nga organizata që, sipas tij, cenojnë interesin publik apo refuzojnë transparencën për çështje që lidhen me besimin e qytetarëve.
“Nuk mund të lejojmë që hapësirat publike, të cilat janë pronë e qytetarëve të Prishtinës, të shfrytëzohen nga organizata që, me veprimet e tyre, cenojnë interesin e qytetarëve dhe refuzojnë transparencën për çështje që lidhen drejtpërdrejt me besimin e publikut”, ka shkruar Rama.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se në ditët në vijim do të rishikohen edhe marrëveshje të tjera për shfrytëzimin e hapësirave publike të ndara dhe financuara nga Kryeqyteti.




































