LAJMI I FUNDIT:

Në Mitrovicën e Jugut konfiskohen 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave

Në Mitrovicën e Jugut konfiskohen 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave

Policia e Kosovës ka njoftuar se pasditen e sotme në një operacion bastisje në Mitrovicën e Jugut në një banesë kanë gjetur dhe kanë konfiskuar 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Sipas njoftimit, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale  në Mitrovicën e Jugut, nën dyshime të arsyeshme për veprimtari të kundërligjshme në orët e pasdites së sotme kanë realizuar një bastisje.


“Si rezultat i  hetimeve është arritur të lokalizohet dhe identifikohet lokacioni, me ç’rast  bastisja është realizuar në një banesë në rrugën ‘Fan Noli’ në Mitrovicën e Jugut. Gjatë  bastisjes  për veprimtari të kundërligjshme janë  gjetur dhe sekuestruar 67 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Më tej thuhet se për pajisjet e gjetura dhe  veprimtarinë e  kundërligjshme hetuesit policor kanë identifikuar personin e dyshuar.

“Lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e sekuestruara është njoftuar prokuroi i çështjes i cili ka  sugjeruar që për  veprime të mëtejme hetimore  lidhur me rastin dhe pajisjet e sekuestruara të merren autoritetet doganore”.

Ndërsa, po sot në fshatin Surkish të Podujevës janë konfiskuar tri aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në vendin tonë, për shkak të krizës energjetike.

Lidhur me këtë vendim, Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se vendimi është marrë duke u bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

Ndryshe, Ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur më 4 janar 2022, se do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Kosovës për shkak të krizës energjetike. /Telegrafi/