LAJMI I FUNDIT:

Qeveria: Prodhimi i një kriptovalute harxhon energji elektrike sa 19 shtëpi

Qeveria: Prodhimi i një kriptovalute harxhon energji elektrike sa 19 shtëpi

Ditë më parë Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në vendin tonë, për shkak të krizës energjetike.

Lidhur me këtë vendim, Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se vendimi është marrë duke u bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.


Kriza energjetike ndalon 'prodhimin' e kriptovalutave në Kosovë
Lexo po ashtu Kriza energjetike ndalon 'prodhimin' e kriptovalutave në Kosovë

“Komiteti Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë” ka dhënë disa rekomandime, dy prej të cilave kanë hyrë në fuqi përmes vendimit të datës 31 dhjetor 2021. Ky vendim ka përshirë rekomandimet e Komitetit Teknik për ndërprerjen e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe rekomandimin teknik në lidhje me shfrytëzimin e energjisë së ofruar nga Republika e Shqipërisë për festat e fundvitit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Më tej Qeveria ka theksuar së në vitin 2021 është rritur konsiderueshëm konsumi i energjisë elektrike, dhe se një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit, ku për shkak të mospagesës së energjisë elektrike, prodhimi i kriptovalutave konsiderohet të jetë më i larti në vend.

“Prodhimi i kriptovalutave shpenzon sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike. Sa për ilustrim, prodhimi i një kriptovalute, duke marrë parasysh shifra konzervative, konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit. Kjo pa marrë në konsideratë edhe faktorët e pajisjeve më të specializuara të cilat përpunojnë të dhënat më shpejtë dhe rrjedhimisht konsumojnë më shumë energji, hapësirat e mëdha dhe pajisjet për t’i ftohur pajisjet të cilat punojnë gjatë gjithë kohës etj. I gjithë ky proces shpenzon energji elektrike enorme, importi i të cilës aktualisht është duke u subvencionuar pjesërisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Për më shumë, kjo veprimtari nuk shpie tek punësimi i fuqisë punëtore, si dhe prodhuesit e kriptovalutave nuk paguajnë taksa për këtë aktivitet në Republikën e Kosovës, pasi kjo veprimtari nuk është e rregulluar me ligj”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Qeveria ka bërë të ditur se Komiteti Teknik duke marrë parasysh faktet e lartëcekura dhe situatën vendore të shkaktuar nga kriza botërore energjetike, i ka rekomanduar Ministres së Ekonomisë të marrë vendim për ndërprerje të aktivitetit në fjalë.

Mediat botërore shkruajnë për vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave
Lexo po ashtu Mediat botërore shkruajnë për vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave

“Pas rekomandimeve të Komitetit Teknik, Ministrja Rizvanolli ka marrë vendim për masa emergjente për t’u përballur me krizën e energjisë ku ndalohet prodhimi i kriptovalutave në vend. Identifikimi i lokacioneve të prodhimit si dhe ndërprerja e këtyre aktiviteteve do të bëhet nga ana e organeve të rendit dhe të drejtësisë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante të sektorit të energjisë. Vendimi për masa emergjente për t’u përballur me krizën e energjisë mbetet në fuqi deri në marrje të vendimit të ardhshëm, bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik kur vlerësohet që situata energjetike është stabilizuar, i cili shfuqizon paraprakun”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Telegrafin.

Për vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, kanë shkruar edhe mediat botërore. /Telegrafi/