LAJMI I FUNDIT:

Në kujtim të Roger Scrutonit

Në kujtim të Roger Scrutonit
Roger Scruton, Wiltshire, England, November 2011

Nga: Brenton Kotorri

“Mjeshtër Scruton”, iu drejtova, “a e dinit se në enciklopedi, po të kërkosh për filozofët e konservatorizmit, lista nis me Edmund Burke dhe përfundon me ju”? “Oh, that’s nice!” (Sa mirë!), u përgjigj shkurt dhe thjesht.


Te përgjigjja e filozofit të madh Roger Scruton gjendet përulësia e njeriut të zakonshëm, me vlera të jashtëzakonshme.

Kush është Roger Scruton?

Scruton u lind më 27 shkurt 1944. U rrit në një familje të thjeshtë dhe tipike angleze. Shkruhet se në fëmijëri u shqua në shkencat ekzakte, por në ditën e parë të universitetit e ndërroi degën dhe studioi filozofi. Në vitin 1973 merr titullin e lartë “Doktor” në studimin e filozofisë dhe estetikës nga Universiteti i Cambridge.

Scruton ka rrëfyer se e përqafoi konservatorizmin në kohën kur u bë personalisht dëshmitar i protestave të studentëve francezë të 1968-ës. Gjatë karrierës së tij akademike, dha leksione mbi filozofinë në shumë shkolla dhe universitete ndërkombëtare. Në vitet 1980, krijoi një rrjet të “nëndheshëm” komunikimi me akademikë dhe intelektualë disidentë në Çekosllovaki, Poloni, Hungari e më gjerë. Gjatë jetës së tij shkroi mbi 50 vepra mbi moralin, politikën, filozofinë, letërsinë, arkitekturën, psikologjinë, estetikën etj. Roger Scruton, gjatë jetës dhe studimeve kishte akumuluar me inteligjencën e gjenisë, njohuri të thelluara mbi historinë, politikën, diplomacinë, religjionin, por edhe mbi matematikën, gjeometrinë, biologjinë, arkitekturën muzikën e gjithfarë lëmi të rëndësishëm. Mund të thuhet pa ngurrim se në secilën prej fushave që përmendëm, ai ka lënë pas nga një traktat epistemologjik.

Përmasat e vërteta të filozofit Scruton mund të njihen vetëm përmes leximit të kryeveprave të tij. “Estetika e Arkitekturës” (1979), “Dëshira seksuale: Një filozofi morale për erotikën” (1986), “Estetika e muzikës” (1997), “Bukuria” (2009), “Filozofia e gjelbër: Si të mendojmë seriozisht për planetin (2012)”, “Fytyra e Zotit” (2012) dhe sidomos, “Si të jesh konservator” (2014) e “Mbi natyrën njerëzore” (2017). Katër vite më parë, Roger Scruton vinte në Tiranë.

Si e njoha Roger Scruton?

Pak para se Roger Scruton të vinte në Tiranë, në muajin shkurt të vitit 2016, më ishte kërkuar të ndihmoja pedagogun Fitim Zekthi me përkthimin e pak kapitujve të veprës “How to be a conservative”. Libri është një udhërrëfyes për këdo, i cili e jeton shqetësimin sesi duhet të sillesh politikisht. I nderuar dhe entuziast, u takova me profesorin Scruton me mbërritjen e tij në Tiranë. Koha që shpenzova në praninë e tij mund të përmblidhet në pak momente kryesore

– E shoqërova gjatë një interviste që dha për emisionin “Dritare” (që kurrë nuk e kuptova përse nuk u transmetua, me keqardhje. Ndoshta duhet të jetë në arkivat e emisionit në “Vizion Plus”).

– E përktheva fjalën e tij gjatë pranimit të titullit “Honoris Causa” në UET.

– E përktheva fjalën e tij në “Forumin e Tiranës për Liri Ekonomike”, fjalë e cila mund të kuptohet përmes këtij paragrafi: “Pa pronën private dhe lirinë për ta blerë atë, për ta grumbulluar dhe për ta shkëmbyer atë, motivi ekonomik shuhet dhe çdo gjë qëndron në stanjacion, siç ndodhi këtu nën regjimin e Enver Hoxhës. Për më tepër, rritja ekonomike nuk është arritur nga individët që veprojnë të vetëm: është rezultat i përbashkët i një përpjekjeje bashkëpunuese. Kjo ndodh vetëm kur njerëzit kanë të drejtën e pronës dhe lirisht mund ta shkëmbejnë atë. Socialistët nuk e pranojnë në zemrat e tyre këtë gjë. Ata e shohin shoqërinë si një mekanizëm për shpërndarjen e burimeve”.

Mora pjesë në një takim të ngushtë me të dhe në fund pata privilegjin ta përcjell në aeroport.

Gjatë ditëve të qëndrimit të tij në Tiranë pata mundësinë për të bashkëbiseduar me të, si nxënës i përjetshëm i filozofisë së tij, me pyetje të etura dhe naive, në fakt mësova më shumë se ç’vlerë e vyer është përulësia, modestia, thjeshtësia, fjalëpakësia. Kuptova se te Scrutoni, dijet e mendjes ishin totalisht të nënshtruara përpara shpirtit të besimtarit. Roger Scruton gjatë jetës së tij ka fituar famë, por nuk sillej si njeri i famshëm; ka fituar para, por nuk sillej si njeri i pasur; ka fituar mençuri, por nuk jepte mend për asgjë pa e pyetur me këmbëngulje; zotëron influencë dhe pushtet, por nuk sillej si asnjë pushtetar. Roger Scruton sillej sikur të donte t’i përngjante modelit të sjelljes së një profeti.

Në orët e tij të fundit në Tiranë, bashkë me z. Zekthi dhe z. Besart Kadia, patëm kënaqësinë që të ngjiteshim me profesor Scruton në Kalanë e Petrelës për një çaj. Përjetova një prej bisedave më të jashtëzakonshme.

Profesori na rrëfeu se në Anglinë dhe Evropën e ditëve të sotme, njerëzit pohojnë se besojnë në Zot, por nuk jetojnë si besimtarë. Ai shkonte në kishë çdo të diel, luante organon gjatë meshës. Shqetësim i tij i madh ishte se gjithnjë e më shumë, “e majta” nëpër botë po kufizonte lirinë e mendimit, duke kastruar fjalorin që përdoret në hapësirën publike dhe duke etiketuar si “gjuhë urrejtjeje” idetë që nuk janë politikisht korrekte (këtë argument e çoi përpara edhe profesori Jordan Peterson në vitet më pas). Ai na tregoi se për ta kuptuar Kuranin dhe botëkuptimin islam, i ishte dashur të studionte mbi arabishten për t’i kuptuar gjërat drejtpërdrejt (në vitet që pasuan, ai e shtoi këtë interesim të thellë).

Na tregoi se ishte habitur nga takimi me Edi Ramën dhe se i ishte dukur një njeri që kush e di se ç’e mendonte veten, që shkarraviste teksa fliste dhe mbante një kosh basketbolli mbi derën e sekretares. I kishte thënë Sali Berishës se për herë të fundit ishin takuar në ’92-shin dhe se vetë Scruton nuk do ta kishte lënë mjekësinë për politikën. Na tregoi se Lulzim Bashës i kishte thënë dy gjëra: “Duhej t’i shpaloste më fort bindjet e tij të djathta; e majta vetëkorruptohet aq shumë, saqë herët a vonë rrëzohet vetë”.

Roger Scruton, në korrik të 2019-ës mësoi papritur se vuante nga kanceri dhe mund t’i kishte mbetur edhe një javë për të jetuar. Ai e ka përshkruar këtë moment në një ditar të muajpasmuajshëm mbi vitin 2019, që e botoi në “Spectator Magazine UK”. Si njëri nga njerëzit më të mençur të botës dhe kohës sonë e si besimtar i përkorë, ai e mbylli jetën më 12 janar 2020 me përulësinë e fjalëve: “Përtej çdo gjëje, kam kaq shumë mirënjohje për të dhënë”.