Që nga viti 2016, objekti i ri i Klinikës Emergjente pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka mbetur vetëm në fazën e tullave, pa u bërë investime të mëtejshme.

Hapësira, e cila prej vitesh është shfrytëzuar si parking veturash dhe depo mbeturinash, pritet që më në fund të aktivizohet për ndërtim. Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se punimet për këtë projekt do të nisin së shpejti.


Sipas tij brenda 30 muajsh Kosova do ta ketë Klinik Emergjente moderne me të gjitha shërbimet e nevojshme.

“Për secilin projekt infrastrukturor, është caktimi i mbikëqyrësve, caktimi i disa procedurave të tjera që janë si të domosdoshme, jo të nevojshme, po të domosdoshme si procedura para se me filluar puna fizike në terren. Unë pres që këto do të përfundojnë jashtëzakonisht shpejt dhe pres që çështje javësh që do të fillojë dhe do të mbarojë ashtu siç kemi thënë, për 30 muaj, Qendra Klinike Universitare do ta ketë Qendrën Klinike Emergjente jashtëzakonisht moderne, me të gjitha shërbimet emergjente aty brenda”, thekson Vitia.

Për nevojën e hapësirave të reja për shërbimet emergjente ka folur për KosovaPress edhe drejtori i Klinikës Emergjente në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Naser Syla.

Sipas tij, vetëm gjatë vitit të kaluar mbi 100 mijë pacientë kanë marrë trajtim në këtë klinikë, e cila funksionon në një hapësirë prej vetëm 530 metrash katrorë.

“Domethënë, janë ndërruar sa qeverie, sa qeverie, sa ministra të Ministrisë së Shëndetësisë edhe këto, edhe një Qendër Emergjente e, pastrojë e moderuar, ndash thuaj që i plotëson kushtet edhe kriteret për një trajtim të një numri kaq të madh të pacientëve, deri tash i ka munguar. Qendra Emergjente qysh është tash, funksionon veç në 530 m². E në këto 530 m² veç vitin e kaluar, janë trajtuar 103,870 pacientë. Kurse veç në tre mujorin e parë të këtij viti janë trajtuar 20, 28,021 pacientë”, theksoi ai.

Specialisti i mjekësisë emergjente, Syla ka deklaruar se hapësirat e reja të emergjencës pranë QKUK-së do t’i plotësojnë kushtet për trajtimin emergjent të çdo pacienti.

“Është e pajisur, e furnizuar edhe e dizajnuar në atë mënyrë që t'i plotësojë të gjitha kriteret edhe nevojat për trajtimin emergjent të çdo pacienti. Si me salla, si me aparaturë, si me të gjitha ato”, theksoi specialisti i mjekësisë emergjente.

Edhe nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë vlerësojnë se gjendja në të cilën funksionon aktualisht Emergjenca në Qendra Klinike Universitare e Kosovës është jashtë standardeve, për shkak të numrit të madh të pacientëve dhe mungesës së hapësirave e stafit të mjaftueshëm.

Kryetari i PRAK-ut, Besim Kodra konsideron se ndërtimi i Klinikës së re Emergjente është nevojë urgjente dhe projekti, i cili po zvarritet prej vitesh, duhet të përfundojë sa më shpejt në mënyrë që pacientët të kenë qasje në shërbime më cilësore dhe më të sigurta.

“Gjendja në të cilën funksionon emergjenca aktualisht është jashtë çdo standardi, për shkak se ka një fluks shumë të madh të pacientëve, në anën tjetër kapaciteti i hapësirave dhe resurseve humane që punojnë aty janë jashtëzakonisht të kufizuara. Ne kemi nevojë për një klinikë emergjente qysh e kemi thënë edhe më herët, dhe kjo duhet me u bë sa më shpejt. Objekti që ka nisur shumë herët e që po zvarritet edhe aktualisht, mendoj se do të duhej të zgjidhej sa më shpejt në mënyrë që të jetë funksionale dhe pacientët mund t'i qasen atij objekti”, deklaroi ai.

Objekti i ri i emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka nisur në vitin 2016 me një kosto prej 8 milionë eurosh./KP/