Osmani akuzon LVV: Ia refuzuan popullit 51% vetëm për të eliminuar një presidente që u ul me presidentin e ShBA-së

Gjatë “Tubimit të Bashkimit” të Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se partia që ajo përfaqëson, sipas saj, qëndron në anën e së vërtetës.
Ajo tha se LDK ka vetëm të vërtetën në anën e saj, ndërsa kritikoi ashpër partinë në pushtet, duke e akuzuar për propagandë.
“Ky përkushtim nuk do të ndalet sado që dikush mund ta dëshirojë një gjë të tillë, sepse faktet janë të forta dhe janë në anën tonë. E vërteta është në anën tonë, ne kemi veç të vërtetën, ata kanë veç propagandën”, u shpreh Osmani.
Ajo shtoi se ka individë që e konsiderojnë veten të pazëvendësueshëm duke, sipas saj, mbajtur qytetarët peng të frikës dhe linçimeve.
“Ka nga ata që e quajnë veten të pazëvendësueshëm pikërisht duke e mbajtur qytetarin peng të frikës e viktimë të linçimeve. Kush do ta kishte imagjinuar që 27 vjet pas luftës, dikush do të konsideronte pengesë faktin që Kosovës i janë hapur dyert në forume ndërkombëtare, ndërsa vetë nuk arrin të përfaqësohet në to”, u shpreh Osmani gjatë fjalimit të saj.
Tutje Osmani deklaroi se kundërshtimet ndaj saj kanë ardhur pas takimit të saj me presidentin e ShBA-së, Donald Trump, duke e lidhur këtë me zhvillimet e mëvonshme politike në vend.
“Pra, në njërën anë është rruga e atyre që e çojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj sepse nuk ngopen kurrë, rruga e atyre që e shndërrojnë në mision eliminimin e secilit që Republikën e vendos përpara çdo interesi partiak dhe ideologjik, rruga e atyre që e dërguan vendin në zgjedhje të panevojshme dhe ia refuzuan popullit 51% vetëm për të eliminuar një presidente që u ul me presidentin e ShBA-së”, u shpreh Osmani.
Fjalimi i saj u mbajt në kuadër të tubimit të organizuar nga LDK, ku u theksua mesazhi për bashkim dhe mobilizim politik.



















































