Abdixhiku: Kur e do më shumë Republikën se gjithçka tjetër, gjen mënyrën të bashkohesh

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij në tubimin e bashkimit me kandidaten e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, shpalli nisjen e një etape të re politike që, sipas tij, synon bashkimin dhe forcimin e vendit.
Abdixhiku tha se LDK-ja po hyn në një fazë të re me më shumë unitet dhe vendosmëri.
“ Po vijmë këtë herë më shumë, këtë herë më të fortë, këtë herë më të bashkuar, këtë herë më të përkushtuar, këtë herë zemrën plot, mendjen e fortë, vullnetin edhe më të gurtë, këtë herë po vijmë si një, kjo është LDK-ja jonë.Dhe në këtë atmosferë të flaktë e shkëlqyeshme që paskeni bërë sonte, qëndroj para jush jo vetëm si kryetar i formacionit vetëm pavarësisht demokratik në vend, jo vetëm si kandidat i sapo nominuar për kryeministër, po qëndroj sikurse ju, sikurse secili prej jush, si një endërrimtar i madh i të ardhmes që duam ta kemi. Dhe në këtë të ardhme nuk jam endërrimtar i vetëm, këtë herë jam bashkë me një grua të fortë, të drejtë e të pathyeshme që sot qëndron krah nesh për një qëllim më të madh se secili prej nesh, në këtë rrugëtim jam bashkë me Vjosa Osmanin”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së theksoi se e ardhmja politike që synojnë do të ndërtohet pavarësisht pengesave. Abdixhiku kritikoi kundërshtarët politikë, duke thënë se e ardhmja u takon atyre që, sipas tij, bashkojnë dhe ndërtojnë.
“Kjo e ardhme nuk u takon atyre që ndajnë e përçajnë, kjo e ardhme nuk u takon atyre që propagandojnë e mashtrojnë, kjo e ardhme nuk u takon atyre që jetojnë në krizë e amulli me mllef, në terr e në zi, kjo e ardhme është plot dritë për Republikën e Kosovës. Kjo e ardhme, kjo e ardhme na takon neve të djathtëve, djemve e vajzave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasardhësve politikë të Ibrahim Rugovës, rrugëtimit historik të Republikës së Kosovës.Prandaj nga kjo sallë po e nisim kushtrimin e djathtë dardano-shqiptar. Jemi bërë bashkë si asnjëherë mëë parë, jemi bërë bashkë për një thirrje që na vjen si amanet politik, si kujtesë e asaj çfarë jemi sot e çka ishim dje, si rikujtesë e asaj se çfarë duam të bëjmë me këtë vend”, tha ai.
Abdixhiku shtoi se Kosova ka nevojë për një frymë të re politike dhe bashkim të forcave politike për stabilitet. Ai u ndal edhe te ndarjet e së kaluarës brenda LDK-së, duke i cilësuar si të dhimbshme, por të tejkalueshme.
“Miq të dashur qytetarë, shumë vite më parë rrugët tona politike u ndanë, jo sepse mungonte dashuria për Kosovën, jo sepse mungonte besimi te Rugova, jo sepse mungonte ideali për Republikën, i kishim të gjitha. Por u ndamë në një kohë të rëndë, në rrethana të vështira, në një klimë të mbushur me mllef, gabime e përplasje. Dhe për vite të tëra, politika jonë jetoi me atë ndarje. Edhe LDK-ja jetoi me atë plagë. Edhe shumë qytetarë mbështetës tanë jetuan me atë zhgënjim. Por sonte dua t’ju them diçka shumë njerëzore. Në politikë mund të ndahesh, mund të kalosh kohë të gjatë si të ndarë, por kur e do njësoj, kur e do njësoj shtëpinë tënde politike, kur e do më shumë Republikën se gjithçka tjetër, rrugët gjejnë mënyrën të bashkohen prapë, sepse ka diçka më të madhe sesa secili prej nesh. Më të madhe se individi, më të madhe se egoja, më të madhe se mllefet e së kaluarës, kësaj të madhe i thonë Republikë e Kosovës, i thonë Lidhje Demokratike e Kosovës. Dhe pikërisht në këto të dyja, ne kemi gjetur motivin për të nisur një etapë të re bashkimi, një etapë që krijon shpresë dhe u del në krah qytetarëve tanë”, u shpreh Abdixhiku.



















































