Një person i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar është arrestuar të shtunën nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me njësitë policore të rajonit të Gjakovës.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar më 10 maj 2026, rreth orës 13:10, nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor.


Personi i arrestuar është shtetasi kosovar me inicialet H.M., i cili kërkohej përmes INTERPOL, bazuar në një urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Shqipërisë.

Ai dyshohet për përfshirje në veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa ndaj tij pritet të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore në koordinim me autoritetet kompetente.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe në zbatimin e urdhër arresteve ndërkombëtare, me qëllim luftimin e krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit./Telegrafi.