LAJMI I FUNDIT:

Në këto ditë të nxehta vere Tetova “pushtohet” nga mbeturinat

Në këto ditë të nxehta vere Tetova “pushtohet” nga mbeturinat

Banorët e Tetovës ankohen për mbeturinat e shumta në qytet, ndërsa arsyetimin e autoriteteve komunale se për shkak të mungesës së lokacionit për ngarkim shkarkim janë shtuar mbeturinat e cilësojnë si të pavërtetë. Banorët kërkojnë nga ndërmarrja Publike të jetë më aktive dhe të mos lejojë që Tetova të “ngulfatet” në mbeturina.

“Era vjen, katastrofë është, tash verë nxehtë sëmundje të ndryshme ka. Plus këtu duhet të ketë vend për ato mobilet mbeturinat e forta”.


“Si pikë e parë na pengojnë qeveritarët, pastaj bërllogu. Por edhe popullata tregohen të pandërgjegjshëm, hedhin mbetje anë e mbanë”.

“Ka problem se prishin gjitha natyrën, e ajo është gjëja më e vlefshme. Duhet të punojnë por nuk punojnë”.

Ndërmarrja publike komunale ka një kohë që është pa pikë të veten për ngarkim shkarkim të mbeturinave, pas skadimit të kontratës me pikën në dalje të Tetovës. Drejtori i ndërmarrjes komunale Xhelal Ceka pas ankesave të shumta të banorëve ka premtuar se në fundjavë hapet pika e re për ngarkim shkarkim të mbeturinave gjë që do të ndikojë në pastrimin e mbeturinave nga rrugët e Tetovës.

“Nga problemet që patëm me stacionin për shkarkim ngarkim patëm një çrregullim të orarit të mbeturinave, por shpresoj se nga e shtuna e diela ky problem do jetë tejkaluar. Por një problem i madh tek ne nuk janë mbetjet komunale që ka për obligim ndërmarrja por janë mbetjet tjera inerte, të ndërtimit bateritë që hidhen për rreth kontejnerëve e që na bëjnë telashe shumë- deklaroi Xhelal Ceka. Drejtor i NPK Tetova.

Tentimi i parë për dislokimin e pikës për ngarkim shkarkim në një pjesë të fushave të Tetovës, hasi në kundërshtime dhe reagime të ashpra nga pronarët e fushave të mbjella, me ç’rast, edhe ndërmarrja hoqi dorë nga ai propozim. Ndërkohë, drejtori i ndërmarrjes edhe sot ka refuzuar të tregojë se ku planifikohet të locohet pika e re për ngarkim shkarkim të mbeturinave./alsat/