Në garën e ashpër për Mitrovicën, Tahiri e Peci falënderojnë qytetarët

Gara për kryetar në Komunën e Mitrovicës Jugore është bërë interesante, pasi që Arian Tahiri nga PDK dhe Faton Peci nga LVV do të jenë në balotazh.
Me t’u mbyllur vendvotimet, Exit Pollet e shpallën fitues të padiskutueshëm Tahirin, por që nga numrimi i KQZ-së, doli të ishte një realitet tjetër, raporton Telegrafi.
Kandidati i PDK-së doli të ishte i pari, por ja ta fitojë qysh në raundin e parë – pasi mori 47,89 për qind apo 15,368 të votave.
Në anën tjetër, Peci që mund të ishte i zhgënjyer në fillim nga rezultatet e Exit Polleve, u qetësua kur mori rezultatet zyrtare – duke dalë i dyti me 47,80 për qind apo 15,340 të votave.
Tahiri ka reaguar në profilin e tij në Facebook, duke shkruar: “Jam thellësisht mirënjohës për fushatën dinjitoze, përbashkuese dhe me plot vlera, ashtu siç e meriton Mitrovica. Faleminderit nga zemra për mbështetjen e madhe! Së bashku, pa dallime, ecim bashkë drejt fitores tonë të plotë! Mirënjohës përjetë për besimin tuaj!”.
Në anën tjetër, Peci ishte më i shkurtër në reagimin e tij: “Të dua fort Mitrovicë. Por i urti kurrë nuk ngutet, prej burrnisë, e jo pse tutet…”.
Vlen të ceket se dyshja do të garojnë për postin e të parit të Mitrovicës së Jugut në balotazh më 9 nëntor. /Telegrafi/




















































