“Ne e kontaktuam atë”, Roberto Martinez zbulon se ylli i Ligës Premier refuzoi ftesën e Portugalisë

Roberto Martinez ka zbuluar se përpjekja për ta bindur një yll të Ligës Premier të luajë për Portugalinë para Kupës së Botës ka dështuar.
Lista e Portugalisë me 26 lojtarë u publikua zyrtarisht të dielën, me përfaqësim të madh nga kampionati anglez: Bruno Fernandes, Diogo Dalot, Matheus Nunes, Ruben Dias dhe Bernardo Silva do të udhëtojnë së bashku me kapitenin Cristiano Ronaldo.
Në listë janë përfshirë edhe dyshja e Paris Saint-Germain, Joao Neves dhe Vitinha, ndërsa mesfushori i West Hamit, Matheus Fernandes, nuk bëri mjaftueshëm për ta marrë ftesën.
Megjithatë, një tjetër temë që doli nga shpallja e listës ishte zbulimi i Martinezit se Portugalia i ishte afruar sulmuesit të Bournemouthit, Junior Kroupi, për ta bindur të luajë për ta.
19-vjeçari ka qenë në formë të jashtëzakonshme me klubi anglez në garën e tyre për Evropë, duke shënuar 12 gola në Ligën Premier si adoleshent – shifër rekord e përbashkët për moshën e tij.
Ai ka të drejtë të përfaqësojë Portugalinë përmes anës së nënës, por ka lindur në Francë dhe ka një baba, Eli, i cili ka luajtur për Bregun e Fildishtë.
Sipas Martinezit, Kroupi vendosi t’i refuzojë përpjekjet e Portugalisë, pasi është i përkushtuar të luajë për Francën, vendin ku ka luajtur edhe me ekipin U21.

“Para grumbullimit të marsit, ne iu afruam. Por një gjë është të ndjekësh lojtarë që mund ta veshin fanellën e Portugalisë, dhe tjetër është vullneti i lojtarit. Në këtë rast, Junior donte ta përfaqësonte Francën, prandaj ne e respektojmë këtë”, deklaroi ai.
Lista e Francës ishte shpallur tashmë javën e kaluar, por Kroupi nuk ishte pjesë e 26 lojtarëve të përzgjedhur nga Didier Deschamps.
Ai zgjodhi një repart sulmues të mbushur me yje, ku përfshiheshin emra si Kylian Mbappe, Ousmane Dembele, Desire Doue, Bradley Barcola, Michael Olise dhe Jean-Philippe Mateta./Telegrafi/



















































