LAJMI I FUNDIT:

Në BE arrihet marrëveshja për planin 6 miliardësh për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor

Në BE arrihet marrëveshja për planin 6 miliardësh për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor
Foto: Arkiv/Ilustrim

Parlamenti Evropian (PE) dhe Këshilli i Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje të enjten për tekstin e vendimit për planin e BE-së për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor. 

Plani përfshin periudhën nga 2024 deri në 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor, njofton Telegrafi.


Ai do të plotësojë Instrumentin ekzistues për Asistencën e Para-Aderimit (IPA III), duke rritur ndjeshëm ndihmën financiare për partnerët në rajon, thuhet në njoftimin për media.

Lidhur me këtë ka shkruar edhe njëri ndër personat e përfshirë në këtë proces, eurodeputeti Tonino Picula.


Ndërkaq, për miratimin formal të këtij plani duhet të votojë edhe Parlamenti Evropian.

Lajmi për marrëveshjen është konfirmuar edhe nga vet kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, raporton Telegrafi.

“Ne kemi një marrëveshje për Reformën dhe Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor! Ne po investojmë 6 miliardë euro për reforma dhe integrim gradual në tregun e përbashkët përpara anëtarësimit në BE. Zgjerimi është mjeti ynë më i fortë gjeopolitik. Të dyja palët janë fituese. Faleminderit ekipit, Karlo Ressler, Tonino Picula…”, shkruan ajo.


Ndërkaq, para disa jave në Tiranë ishte mbajtur Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes.

Në këtë samit i pranishëm ishte edhe komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi i cili kishte thënë se rajoni është në fillimet e një ndryshimi rrënjësor, por edhe shumë të shpejtë.

“Besoj se është shumë e qartë që tashmë Planin e Rritjes të gjitha vendet e rajonit e kanë marrë në dorë dhe duan pronësinë e këtij plani. Por, që të ecim përpara na duhet që rajoni të ecë vetë përpara me shpejtësi. Kjo do të thotë, të arrihen rezultate për ato reforma që e bëjnë këtë plan funksional. Ky plan do të funksionojë në rast se ju i respektoni rregullat e BE-së”, ishte shprehur Varhelyi.

Deklaratat kryesore nga Samiti në Tiranë, 6 miliardë euro për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE
Lexo po ashtu Deklaratat kryesore nga Samiti në Tiranë, 6 miliardë euro për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Komisionieri i BE-së tutje kishte thënë se ka mbetur edhe gjysma e kohës për të vënë në zbatim këtë plan, ndërsa ka shtuar se BE duhet të ofrojë të gjitha përfitimet për vendet që do të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian.

“Sigurisht se pjesëmarrja në tregun e përbashkët ka të bëjë edhe me konkurrencën dhe konkurrenca në tregun e përbashkët të BE-së është e fortë….pra konkurueshmëria e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian me ato të vendeve të Ballkanit Perëndimor është shumë shumë e madhe.

Do të ishte e padrejtë që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin pjesë në tregun e përbashkët ku ata kanë më pak mundësi për të konkurruar në krahasim me kompanitë e vendeve të BE-së”, është shprehur tutje Varheyli.

Sipas tij, për këtë arsye BE po jep fonde shtesë si pjesë e Planit të rritjes për të ndihmuar të gjitha reformat pasi kanë kosto financiare.

“Ne jemi të gatshëm të lehtësojmë këtë kosto….Ne jemi të mendimit që 6 miliardë euro do të duhej që të ndihmonin rajonin….”, kishte paralajmëruar komisioneri për Zgjerim. /Telegrafi/