Ndezte zjarr në hapësirë të hapur në Ferizaj, Inspektorati Komunal e gjobit me 500 euro

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të institucioneve që qytetarët të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura, raste të tilla vazhdojnë të evidentohen.
Sipas njoftimit të Komunës, pas një raportimi nga qytetarët, Inspektorati Komunal ka dalë në terren, ku gjatë inspektimit në fshatin Doganaj ka hasur një person duke ndezur zjarr, në kundërshtim me rregullat në fuqi.
Për këtë shkelje, inspektorët komunalë i kanë shqiptuar personit një gjobë në vlerë prej 500 eurosh.
Komuna u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura, pasi ato paraqesin rrezik serioz për përhapjen e flakëve, dëmtimin e mjedisit, si dhe rrezikimin e jetës dhe pronës.
Po ashtu, është bërë e ditur se Inspektorati Komunal do të vazhdojë kontrollet edhe në ditët në vijim dhe ndaj çdo shkelësi do të ndërmerren masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Telegrafi/








































