LAJMI I FUNDIT:

Nderimi për Abdyl Frashërin është nderim për Atdheun

Nderimi për Abdyl Frashërin është nderim për Atdheun

“Abdyl Frashëri ishte trim, e kishte syrin si shigjeta, ishte i matun dhe nuk i’a hidhte dot as mbreti as krajli, ishte i përmendur në penë dhe dije”- Faik Konica

Janë të rrallë burrat si Abdyl Frashëri që i kushtoi një jetë të tanë kombit, me dije, punë, maturi, largpamësi, luftë dhe sakrificë.


Toka jonë lindi gjigandë që lanë gjurmë dhe i lakmoi bota e që kulturat dhe popujt tjerë medoemos duan t’i përvetësojnë. Sot mund të themi që idetë e Abdylit për Shqipërinë morën jetë, sot jemi dëshmitarë të ngritjes së kombit tonë dhe rikthimit në origjinë, ku për gjysmë mileniumi u la anash, e u përndoq u luftua deri në zhdukje. Sot mund të jemi krenarë me gjithë vështirësitë, sepse kombi ynë është duke u bërë faktorë në Ballkan, sepse vetëm kështu do të arrihet një paqe afatgjate, e nënshkruar mbi gjakun, vuajtjet, mjerimin, torturën e këtij kombi sa të bekuar aq dhe fatkeq përtej kohërash.

Abdyli u lind me 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Deri në moshën 18-vjeçare jetoi në fshatin e tij të lindjes për t’u zhvendosur më pas në Janinë shkaku i punës. Me fillimin e Krizës Lindore, më 1877 erdhi në pah karakteri i Avdylit. Po atë vit formohet Komiteti Shqiptar i Janinës ku Avdyli zgjidhet kryetar, për t’u bërë hartues i projektit për mëvetësinë e Shqipërisë përmes kryengrites së armatosur antiosmane.

Qëllimi i tij ishte të merrte përkrahje nga Rivalët e Perandorisë Ruse, konkretisht shtetet evropiane të cilat dukej se kishin frikë nga mbizotërimi i Rusisë në Ballakan. Por, kjo përkrahje nuk erdhi ndaj shqiptarëve. Që nga korriku deri në dhjetor 1877 zhvilloi bisedimet me Athinën zyrtare për krijimin e një aleance politike shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane, por rezultati doli i pafavorshëm pasi Athina nuk pranoi idenë e Shqipërisë së Pavarur në kufijtë e saj etnikë.

Në fundvit 1877, Abdyli ishte deputet i Janinës në Parlamentin e Dytë Osman. Në atë kohë ai zgjedhet kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll e që njihet si Komiteti i Stambollit.

Abdyl Frashëri konkludonte se nga prirjet ekspansioniste të Rusisë dhe interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur gjallë Perandorinë Osmane, po ashtu kafshimet e fqinjëve ballkanik për ta bëre copë- copë, krijimi i një shteti autonom shqiptar nën sovranitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, do të ishte zgjidhja më e përshtatshme.

Vilajeti i Kosovës dhe ai i Janinës ishin vendet ku Abdyli zhvilloi aktivitetet e tij politike dhe patriotike.

Ishte i palëkundur në kauzën e tij për autonominë e Shqipërisë. Ishte i pranishëm në të gjitha kuvendet të cilat ishin nën organizimin e Këshillit të Përgjithshëm nga Lidhja e Prizrenit ku më pas zgjedhet kryetar i komisionit për punë të jashtme. Më 1 nëntor 1878 merr pjesë në Kuvendin e Parë të Dibrës ku në mënyrë zyrtare iu kërkua Portës së Lartë ruajtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë në një shtet autonom të vetëm.

Në janar të 1879 organizoi Kuvendin e Prevezës ku kërkohej ruajtja e Çamërisë dhe mos aneksimi i saj nga Greqia. Po në pranverë të atij viti udhëhoqi delegacionin shqiptar të Lidhjes në turneun e Evropës ku kishin një kërkesë të vetme ndaj Fuqive të Mëdha ruajtjen e territoreve shqiptare dhe kërkesën e tyre për liri dhe autonomi.

Qeveria e përkohshme që u miratua nga Kuvendi i Dytë i Frashërit ishte projekt i menduar mirë nga Abdyli. Po ashtu priu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës e cili shihte si arsye të vetme kryengritjen e armatosur për mbrojtjen nga pushtuesit.

Në Kuvendin e Dytë të Dibrës ai promovoi programin e Gjirokastrës gjë që nuk kaloi nga shumica, pas këtij zhgënjimi Abdyli kthehet në Kosovë ku së bashku me trimat dardanë vunë në funksion vendimet gjirokastrite. Më 1881 bëhet pjesë e Qeverisë së përkohshme në Prizren me qëllimin e vetëm pavarësimin e Shqipërisë dhe ruajtjen e saj nga armiqtë e kobshëm.

Me t’u shtypur Lidhja e Prizrenit, Abdyl Frashëri arrestohet nga gjyqi special Osman, ku dënohet me vdekje, por më pas dënimi i kthehet në burg të përjetshëm. Qëndroi tre vjet në burg dhe 20 muaj në internim dhe lirohet për arsye shëndetësore. Aktivitetin e tij patriotik e zhvilloi deri më 23 tetor 1892 në Stamboll ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë më 1978 për t’u rivarrosur në tokën nanë të cilën e deshi më shumë se çdo gjë.

Ky burrë i urtë dhe trim hapi rrugën e vështirë për brezat që do vijnë dhe kështu lartësoi përjetë emrin dhe veprën e tij të madhe në shërbim të kombit. Dhe si i tillë mbetet që ta nderojmë dhe admirojmë personalitetin e tij, sepse nderimi për të është nderim për atdheun.