LAJMI I FUNDIT:

‘Ndaleni kohën’ – dermatologia thotë se merr pesë suplemente të lira për ta sfiduar plakjen

‘Ndaleni kohën’ – dermatologia thotë se merr pesë suplemente të lira për ta sfiduar plakjen
(Foto: Insider/Pexels)

Për një dukje të shëndetshme dhe me shkëlqim, ajo që hyn në trupin tuaj ka po aq rëndësi sa produktet që i vendosni në lëkurë. Padyshim se çfarë hani do të ketë ndikim të madh në pamjen e lëkurës suaj.

Por, ju gjithashtu mund t’i jepni një shtysë shtesë duke marrë vitamina dhe suplemente, zbulojnë dermatologët.


Dr Azadeh Shirazi, një dermatologe me bazë në Kaliforni, ka përmendur pesë suplemente të lira që merr për ta bërë lëkurën e saj të shkëlqejë dhe të shmangë efektet e plakjes.

Gabimi i zakonshëm që ju bën të plakeni më shpejt
Lexo po ashtu Gabimi i zakonshëm që ju bën të plakeni më shpejt

Vitamina D

Dermatologët shpesh theksojnë përfitimet e qëndrimit larg diellit, pasi rrezet e tij mund të shkaktojnë dëme, të përshpejtojnë shfaqjen e rrudhave dhe madje t’ju vënë në rrezik të kancerit të lëkurës.

Edhe Dr Shirazi nuk është ndryshe, duke e lënë mënjanë ekspozimin në diell për të mbrojtur lëkurën e saj (organizmi e krijon vitaminën D duke përdorur rrezet e diellit direkte në lëkurë).

Pasi zbuloi tre vjet më parë se nivelet e vitaminës D i kishte të ulëta, dermatologia tha për Insider se filloi të merrte suplement për ta kompensuar atë. Multivitamina që ajo merr çdo ditë përmban vitamina D dhe E, por ajo gjithashtu merr suplemente ndaras.

Dermatologia pohoi se suplementi gjithashtu mund ta ulë pak rrezikun e melanomës te femrat me një histori të kancerit të lëkurës, duke cituar një studim të vitit 2011. Ajo ka theksuar se njerëzit gjithashtu përfitojnë nga marrja e vitaminës D derisa plaken.

Njëherësh këshillohet që marrja e një suplementi ditor të vitaminës D gjatë vjeshtës dhe dimrit, pasi dielli nuk është aq i fortë që ta nxitë organizmin ta prodhojë atë.

Ushqimet me efekte të anti-plakjes që ua kthejnë orën pas dhe bëjnë të ndjeheni e re
Lexo po ashtu Ushqimet me efekte të anti-plakjes që ua kthejnë orën pas dhe bëjnë të ndjeheni e re

Vitamina E

Dermatologia merr vitaminë E për ta rritur forcën e eshtrave dhe për ta parandaluar humbjen e kockave. Ajo tha se suplementi është veçanërisht i rëndësishëm për gratë në të 40-at dhe 50-at, të cilat janë në rrezik më të madh të humbjes së densitetit të kockave pasi nivelet e tyre të estrogjenit bien.

Sipas NHS, vitamina E mund të ndihmojë gjithashtu në ruajtjen e lëkurës dhe shëndetin e syve. Duhet të jeni në gjendje të merrni mjaftueshëm vitaminë E nga dieta juaj, duke ngrënë vajra bimore, fruta arrore, fara dhe drithëra.

Natyrisht që nuk duhet tepruar marrja e kësaj vitamine në formë suplementi.

Nikotinamidi – vitamina B3

Dr Shirazi merr 500 mg nikotinamid dy herë në ditë. Kjo është një formë e vitaminës B3, për të cilën ajo tha se është aktualisht e njohur në botën e kujdesit të lëkurës.

Ndihmon në përmirësimin e funksionit të barrierës së lëkurës duke i mbajtur qelizat e lëkurës së bashku. Si rezultat, mund të ndihmojë në reduktimin e skuqjes dhe acarimit të shkaktuar nga kushte të tilla, si aknet dhe rozacea.

Por, Shkolla e Shëndetit Publik të Harvardit ‘T. H. Chan’ thekson se doza shumë të mëdha të suplementit mund të shkaktojnë efekte anësore të pakëndshme.


Sipas tyre, është e mundur ta merrni mjaftueshëm këtë vitaminë nga ushqime të tilla, si:

Mishi i kuq

Mishi i shpendëve

Peshku

Orizi kafe

Drithërat dhe buka

Frutat arrore, farat

Bishtajoret

Bananet


Shenjat e plakjes më së shumti shihen në qafë: Ndiqni këta hapa që të dukeni më të reja
Lexo po ashtu Shenjat e plakjes më së shumti shihen në qafë: Ndiqni këta hapa që të dukeni më të reja

Resveratroli

Dr Shirazi merr resveratrol, një përbërës bimor që – sipas saj – është i pranishëm në ushqime, si rrushi dhe kikirikët. Ashtu si nikotinamidi, ka veti antioksiduese dhe ndihmon gjithashtu në ndriçimin e ngjyrës së lëkurës dhe rrit elasticitetin.

Por, nga WebMD thonë se derisa ekspertët pajtohen se resveratroli mund të ketë përfitime kundër plakjes, ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme për ta konfirmuar se sa mirë funksionon.

Gjithashtu, sqarohet se suplementet nuk rekomandohen për fëmijët ose për gratë shtatzëna ose që ushqehen me gji.

Multivitaminë

Dermatologia tregoi se merr një multivitaminë çdo ditë që përfshin zinkun, për të cilin ajo tha se mund t’i përmirësojë gjendjet e lëkurës, si rosacea, aknet dhe ekzema për shkak të vetive anti-inflamatore.

Gjithashtu përmban vitaminë A, për të cilën doktoresha tha se mund të ndihmojë në reduktimin e strukturës së lëkurës dhe zbutjen e linjave të holla, ndërsa ndihmon qelizat të kthehen dhe të rregullojnë prodhimin e vajit.

Sipas një studimi të vitit 2018, marrja e një multivitamine mund ta përmirësojë pamjen e lëkurës te njerëzit që kanë mangësi ose pamjaftueshmëri në disa lëndë ushqyese që ndikojnë në shëndetin e lëkurës, si vitamina C, vitamina A, disa vitamina B dhe zinku.


Megjithatë, suplementet nuk mund dhe nuk duhet ta zënë vendin e një diete ushqyese.

Gjëja më e mirë që mund të bëni është të pini shumë ujë, të shtoni shumë fruta dhe perime në dietën tuaj, të konsumoni yndyra të shëndetshme dhe ta kufizoni konsumimin e ushqimeve me sheqer dhe ultra të përpunuara.


/Telegrafi/