Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar ndarjen nga jeta të Beqir Beqirit, organizatorit dhe punëtorit shumëvjeçar të këtij institucioni kulturor.

Me punën e tij të palodhshme dhe profesionalizmin e vazhdueshëm, ai dha një kontribut të çmuar në funksionimin dhe organizimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke lënë pas kujtime të paharrueshme për të gjithë ata që patën rastin të punonin me të.


Përmes një njoftimi zyrtar, TKK shprehu dhimbjen për humbjen e një prej bashkëpunëtorëve të tij, për punën dhe përkushtimin që Beqiri dha ndër vite.

Më poshtë reagimi i plotë i Teatrit Kombëtar të Kosovës:

"Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Beqir Beqirit, organizatorit dhe punëtorit të kahmotshëm e të çmuar të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Përkushtimi, profesionalizmi dhe puna e tij shumëvjeçare do të mbeten pjesë e kujtesës së institucionit tonë.

Beqir Beqiri do të kujtohet si një njeri i mirë, koleg i respektuar, organizator i përkushtuar dhe punëtor i palodhur, i cili me kontributin e tij të vyer la gjurmë të pashlyeshme në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në këto çaste të vështira, Teatri Kombëtar i Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Beqiri, të afërmit, miqtë dhe mbarë komunitetin artistik.

Ceremonia e varrimit do të mbahet sot, pas faljes së namazit të drekës, në Varrezat e Dragodanit.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të". /Telegrafi/