LAJMI I FUNDIT:

Ndahen mirënjohje për minatorët e Trepçës

Ndahen mirënjohje për minatorët e Trepçës

Në shënimin e 30-vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ndau mirënjohje për ta që ishin pjesë e kësaj greve dhe po këtë vit dalin në pension.

Këto mirënjohje u ndanë për kontributin e tyre të dhënë në minierën e Trepçës dhe për sakrificën e tyre gjatë grevës së 28 shkurtit në vitin 1989.


Lluka në fjalimin e tij falënderoi minatorët për punën dhe sakrificën e tyre dhe i njoftoi se përfitimet të cilat u takojnë atyre shumë shpejtë do të zbatohen.

“Kjo është një ceremoni falënderuese për punën e juaj, për jetën të cilën e keni kaluar në minierën e Trepçës dhe posaçërisht për sakrificën në grevën e minatorëve. Ju uroj për miratimin e statutit të Trepçës e cila juve ju bënë hisedarë në këtë minierë. Ne jemi duke punuar që përfitimet të cilat ju takojnë të hyjnë në zbatim sa me shpejtë dhe shpresojmë që brenda 3 muajve të përfundon procedura”, u shpreh Lluka.

Kryetari i Sindikatës së minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, tha se shpreson që të zgjidhet çështja e përfitimeve të minatorëve.

“Ne shpresojmë që shumë shpejtë do të zgjidhet çështja e përfitimeve e cila do të ju garantonte një pensionim më të mirë”, tha Sadiku.

Po ashtu, në shënimin e 30-vjetorit të grevës ishte i pranishëm edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili tha se Trepça dhe minatorët janë simbolike e qytetit të Mitrovicës, duke i falënderuar minatorët për mundin dhe punën të cilën e kanë bërë për minierën e Trepçës. /Telegrafi/