Me rrënjë që varen lirshëm, lule të mëdha në nuanca mahnitëse dhe pamje luksoze, kjo specie është ndër më të veçantat në botën e bimëve

Ka lule që me pamjen e tyre e tejkalojnë të zakonshmen dhe lënë përshtypjen e luksit të pastër, ndërsa orkideja është njëra prej tyre.


Vëmendje të madhe kohët e fundit po merr një orkide me pamje ekzotike dhe lule të mrekullueshme ngjyrë vjollcë.

Bëhet fjalë për bimë që rriten natyrshëm në Azinë Juglindore, ku janë përshtatur me klimë të ngrohtë, lagështi të lartë dhe shumë dritë. Në habitatin e tyre natyror shpesh gjenden lart në kurorat e pemëve pranë lumenjve ose të kapura pas shkëmbinjve, ku thithin lagështinë nga ajri.

Ky stil jetese i bën ato epifite, pra bimë që nuk kanë nevojë për tokë për t’u rritur.

Nëse ende nuk e keni kuptuar për cilën bimë bëhet fjalë, ajo është orkideja Vanda, transmeton Telegrafi.

Rrënjët varen lirshëm dhe tërheqin vëmendjen

Një nga karakteristikat më interesante të saj janë rrënjët e gjata ajrore që varen lirshëm dhe kanë rol të rëndësishëm në thithjen e lagështisë dhe lëndëve ushqyese. Pikërisht këto rrënjë i japin bimës pamje të veçantë dhe paksa dramatike.

Popullariteti i saj nuk qëndron vetëm te bukuria. Orkidetë Vanda njihen për lulet e mëdha dhe ngjyrat intensive, nga nuancat e thella blu e vjollcë deri te tonet e gjalla rozë. Kjo e bën një nga lulet më tërheqëse në botë.

Kërkon kujdes, por ia vlen

Pas kësaj bukurie fshihen edhe kushte më kërkuese të kultivimit. Vanda pëlqen shumë dritë, por jo diell të fortë direkt. Në ambiente të brendshme zhvillohet më së miri pranë dritareve me orientim jugor, ndërsa jashtë duhet mësuar gradualisht me dritë më të fortë.

Temperaturat ideale gjatë ditës lëvizin mes 20 dhe 32 gradë Celsius, ndërsa natën mund të bien në 16 deri 18 gradë. Lagështia e ajrit ka rol kyç dhe preferohet të jetë mes 50 dhe 70 për qind.

Ujitja varet nga mënyra e rritjes

Për shkak të mënyrës së rritjes pa substrat dhe me rrënjë ajrore, rrënjët kanë nevojë për hidratim të rregullt. Zakonisht rekomandohet që i gjithë sistemi rrënjor të zhytet në ujë të vakët për rreth 20 deri 30 minuta, dy deri tri herë në javë, pastaj të kullohet mirë që të shmanget lagështia e tepërt.

Edhe pse kërkon më shumë kujdes se shumica e bimëve të shtëpisë, orkideja Vanda shpërblen shumëfish. Pamja ekzotike, lulëzimi afatgjatë dhe ndjesia e luksit që sjell në hapësirë e bëjnë zgjedhje ideale për ata që duan diçka vërtet të veçantë. /Telegrafi/