eksperti ad

Aleatët evropianë të NATO-s kanë arritur brenda pak javësh të kompensojnë pjesën më të madhe të mungesave të krijuara nga vendimi i Shteteve të Bashkuara për të reduktuar një pjesë të mbështetjes ushtarake për Evropën.

Kështu deklaroi komandanti suprem i NATO-s, Alex Grynkewich, në një intervistë për Associated Press.


Sipas tij, vendet evropiane kanë plotësuar shumicën e kapaciteteve të humbura në kuadër të Modelit të Forcave të NATO-s, megjithëse mbeten ende disa segmente ku po shqyrtohen zgjidhje alternative me efekt të ngjashëm.

Vendimi i Uashingtonit, i bërë publik më 3 qershor, parashikon që SHBA-ja të mos angazhojë më një aeroplanmbajtëse dhe anijet shoqëruese, avionët për furnizim me karburant në ajër, dhjetëra aeroplanë luftarakë, si dhe një pjesë të mjeteve të tjera të planifikuara për mbrojtjen e kontinentit evropian, shkruajnë mediat.

Paralelisht me këtë vendim, NATO ka nisur rishikimin e planeve rezervë për rastet e një sulmi ndaj Evropës. Modeli i Forcave të Aleancës përcakton kapacitetet ushtarake që mund të aktivizohen gjatë gjashtë muajve të parë të një konflikti të mundshëm.

Reduktimi i angazhimit amerikan befasoi shumë vende anëtare të NATO-s, pasi Uashingtoni njoftoi se synon të përqendrojë më shumë burime në përballimin e kërcënimeve në rajonin Indo-Paqësor, veçanërisht ndaj Kinës.

Si përgjigje, shtetet evropiane dhe Kanadaja kanë rishikuar kapacitetet e tyre ushtarake. Britania e Madhe, ndër të tjera, ka ngritur në nivel më të lartë gatishmërie aeroplanmbajtësen e saj të dytë dhe avionët luftarakë F-35 për reagim të shpejtë në raste emergjente.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka minimizuar ndikimin e vendimit amerikan, duke theksuar se në rast të një konflikti të madh, SHBA-ja do të ridrejtonte sërish burime të konsiderueshme drejt Evropës.

Rutte rikujtoi gjithashtu se Neni 5 i Traktatit të NATO-s e konsideron sulmin ndaj një shteti anëtar si sulm ndaj të gjithë aleancës, megjithëse kjo nuk nënkupton automatikisht detyrim për ndërhyrje ushtarake nga të gjitha vendet anëtare. /Telegrafi/