LAJMI I FUNDIT:

NATA E KËRSHËNDELLAVE

NATA E KËRSHËNDELLAVE

Nga: Eduardo Galeano
Përktheu: Bajram Karabolli

Fernando Silva drejton spitalin e fëmijëve në Managua. Në prag të Kërshëndellave qëndroi në spital deri vonë. Ndërkohë që Fernandoja vendosi të shkonte në shtëpi po dëgjoheshin të shtënat e fishekzjarrëve dhe qielli po ndriçohej me xixëllimat e tyre. Në shtëpi e prisnin për të festuar së bashku.


Pasi bëri kontrollin e fundit nëpër pavijone dhe pa se gjithçka ishte në rregull, duke ecur korridorit ndjeu hapa që e ndiqnin pas. Qenë hapa që dukej sikur ecnin mbi pupla. U kthye dhe pa se një prej fëmijëve të sëmurë vinte pas tij. Në gjysmëhije e njohu. Ishte një fëmijë që ishte i vetëm, pa njeri, pa të afërm. Fernandoja i dalloi në fytyrë shenjat e vdekjes, ndërsa sytë e tij dukej sikur i lypnin ndjesë e ndoshta kërkonin diçka, leje apo…

Fernadoja iu afrua dhe fëmija i preku dorën:

– Thuaji… – mërmëriti fëmija. – Thuaji ndonjërit se unë jam këtu…