Nagelsmann zbulon bisedën me Baumann pasi vendosi për rikthimin e Neuerit te Gjermania: Nuk e priti mirë

Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka folur hapur për reagimin e Oliver Baumann pasi vendosi ta rikthente Manuel Neuerin si portierin e parë të kombëtares përpara Kupës së Botës.
Nagelsmann pranoi se portieri i Hoffenheimit u zhgënjye nga vendimi, pasi kishte fituar besimin e stafit teknik gjatë ciklit të fundit me kombëtaren.
“I thamë Olit në mars se kishim folur me Neuerin. Në fund, ky vendim ishte një goditje për Olin. Këto nuk janë kurrë lajme të mira”, deklaroi Nagelsmann.
Sipas trajnerit gjerman, rikthimi i Neuerit ishte një vendim sportiv, duke marrë parasysh eksperiencën dhe ndikimin e madh që portieri veteran vazhdon të ketë në skuadër.
“Kur luan Manu Neuer, ai e ndihmon ekipin. Por ka pasur edhe raste kur ai nuk ka luajtur. Kjo mund të ndodhë përsëri, prandaj i tregova Olit se vazhdoj të kem besim tek ai”, shtoi ai.

Nagelsmann pranoi gjithashtu se vendimi ndikoi në marrëdhënien e tij me Baumannin.
“Manu ka fituar kaq shumë trofe, ka një emër dhe një aurë të jashtëzakonshme. Sigurisht që Oli nuk tha: ‘Në rregull trajner, s’ka problem’. Marrëdhënia jonë u vu pak në vështirësi kur i dhamë këtë lajm”, u shpreh tekniku gjerman.
Baumann kishte pritur prej kohësh mundësinë për të qenë portieri kryesor i Gjermanisë dhe gjatë sezonit 2025/26 arriti të bëhej një figurë e rëndësishme në kombëtare. Ai numëron 11 paraqitje me ekipin e parë dhe gjashtë ndeshje pa pësuar gol.
Në nivel klubesh, 34-vjeçari vazhdon të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Hoffenheimit. Sezonin e fundit ai zhvilloi 36 ndeshje dhe kaloi shifrën e 500 paraqitjeve në Bundesliga. /Telegrafi/













































