Na mori era


Si pasojë e prishjes së rrjetit elektrik, i tërë vendi ka mbetur pa energji elektrike. Era ka bartur edhe kulme të shtëpive dhe ka shkulur me rrënjë disa lisa. Kjo ka bërë që disa banorë të Istogut dhe të fshatrave përreth të largohen nga shtëpitë e tyte.
Haki Rugova, Kryetari i Komunës së Istogut, thotë se era ka rrëzuar kulmin e stacionit policor, atë të Pallatit të Kulturës. Sipas tij, janë rrëzuar edhe kulme të disa shtëpive dhe ka shkatërruar tej mase edhe kulmet e banesave shoqërore dhe kulme të shtëpive brenda dhe jashtë qytetit.
Për vlerësimin e dëmeve, Rugova thotë se po merren disa komisione, të cilat që nga mëngjesi kanë dalë në terren, raporton Express.
“Dëmet e shkaktuara nga era janë shumë të mëdha, ndaj kërkojmë ndihmën e Qeverisë së vendit dhe të organizatave ndërkombëtare”, apelon ai.
Edhe kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, ka krijuar Shtabin Emergjent për t’i llogaritur dëmet që janë shkaktuar nga një stuhi e madhe që ka goditur gjatë natës së fundit këtë rajon dhe për t’u dalë në ndihmë banorëve të prekur. Dëmet në këtë komunë llogariten të jenë mbi 1 milion euro.
Natë të vështirë sikurse ata të Istogut, kaluan edhe banorët e Skenderajt me rrethina. Edhe aty era e fortë ka dëmtuar shumë objekte banimi dhe objekte ndihmëse, e sidomos ato të ndërtuara nga materiali i dobët.
Shemsi Maksuti, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, tha se deri në mesditë janë lajmëruar shumë raste të dëmtimeve në fshatra të ndryshme të komunës, por edhe në qytet.
Njëjtë sikurse Istogu, pothuajse të gjitha fshatrat e Skenderajt gjatë natës kanë ngelur pa energji elektrike, andaj edhe ekipet e KEK-ut janë në terren në përpjekje për ta sanuar gjendjen.
Por, as Klina, nuk ka kaluar më mirë. Edhe atje era e fortë ka rrëzuar lisa, kulme, si dhe ka lënë vendin pa energji elektrike. Esat Rraci, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Klinës, thotë se përveç qytetit të Klinës, disa shtëpi kanë mbetur pa kulm edhe në fshatin Resnikë. Sipas tij, për dëme është raportuar edhe në fshatin Sferkë e lokalitete të tjera, ku janë dëmtuar pullazet dhe tjegullat kanë rënë në tokë.
Kjo erë që la pas shumë pasoja nëpër të gjitha vendet e Kosovës, sipas meteorologëve, ka ndodhur për një arsye. Sylë Tahirsylaj, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, thotë se ky fenomen ka ndodhur pasi shtypja atmosferike ka rënë shumë shpejt.
“Për 18 orë, shtypja ka rënë 30 milibar, derisa temperatura ka pasur zbritje”, sqaron Tahirsylaj. Prandaj, sipas tij, është bërë një prerje pykore në rrafshin e Dukagjinit dhe bjeshkëve të Preshtenit.
Ai thotë se Instituti ka qenë në dijeni se një gjë e tillë do të ndodhë, pasi Kosova është e certifikuar në qendrën për përcjelljen e atmosferës Eumetsat.
“Por nuk ke pse e paralajmëron, pasi nuk ka mundësi që askush të japë ndonjë kontribut që ta zbusë erën. Nuk kemi dashur të përhapim panik”, vlerëson ai. “Sikur të kishte shi, kjo nuk do të ndodhte. Por, me kaq përfundoi, pasi ky fenomen, era e fortë, ndodh një deri në dy herë në vit, dhe zgjat shkurt”, pohon Sylaj.
Sidoqoftë, përveç dëmeve materiale, nga kjo erë e fortë nuk kanë pësuar njerëzit. /Telegrafi/





































