Mustafa: Qeverisja e LDK-së do ta zgjidh problemin e ujit


“Deri tani, as gjysma e qytetarëve të Kosovës nuk kanë qasje në ujë të pastër të pijes. Me strategjinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë mandatit të parë, ne do të arrijmë të përfshijmë më shumë se 90 për qind të qytetarëve të Kosovës në rrjetet publike të ujësjellësit”, ka thënë Mustafa.
Ai ka theksuar se LDK e konsideron ujin problem akut të qytetarëve të Kosovës dhe ka premtuar se qeverisja që ai do ta drejtojë, në një afat rekord do ta përmbyllë strategjinë kosovare për ujin dhe do të fillojë ta zbatojë atë menjëherë.
Ai ka thënë se strategjia e LDK-së për zgjidhjen e problemit të ujit bazohet në krijimin e liqeneve të reja artificiale, si dhe mbrojtjen e akumuluesve aktualë të ujit, duke zgjidhur edhe problemin e kanalizimeve për të shmangur rrezikun nga ujërat e zeza.
“Urgjentisht do të projektojmë dhe ndërtojmë sistemet e pastrimit të ujit të ndotur, përfshirë edhe ujërat industriale, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, ndërsa impiante do të ndërtojmë në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan”, ka theksuar Mustafa.
Kandidati i LDK-së për kryeministër ka theksuar se problemin e ujitjes, qeveria që ai do ta drejtojë do ta zgjidhë duke shfrytëzuar 100 për qind kapacitetet e Ibër Lepencit dhe Radoniqit, kurse do të investohet edhe për rregullimin e shtretërve të lumenjve të gjatë, si Sitnicë, Lumbardh, Llap, Moravë etj.
Ai ka theksuar se në programin e LDK-së është paraparë shfrytëzimi i ujit edhe për prodhimin e energjisë elektrike, duke përmbushur kështu, përveç nevojave të qytetarëve për rrymë, edhe një kriter të rëndësishëm të Bashkimit Evropian për përdorimin e burineve alternative të furnizimit me rrymë.
“Ne kemi paraparë ndërtimin e Hidrocentraleve të vogla dhe të mesme në Lepenc, Drin, Lumbardh dhe Erenik”, ka thënë Mustafa. /Telegrafi/






































