LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Jemi krenarë që Prishtinës po i japin një kryetar si Arban Abrashi

Mustafa: Jemi krenarë që Prishtinës po i japin një kryetar si Arban Abrashi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të premten në takimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, se LDK-ja është krenare që Prishtinës po i jep një kryetar si Arban Abrashi, i cili i ka virtytet më të larte njerëzore, familjare dhe profesionale.

“Ne jemi krenar që kemi një kuadër të ri dhe profesional, që do ta qeverisë kryeqytetin në mënyrën më të mirë të mundshme. Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe qytetarët e Prishtinës jemi bërë bashkë për të bërë ndryshimin. Pres që edhe anëtarët e AKR-së, të votojnë për Arban Abrashin, sepse në të gjitha tubimet tona në qershor, ata janë zotuar se janë kthyer në shtëpinë e Ibrahim Rugovës”, ka thënë Mustafa.


Ai ka shtuar se qytetarët e Prishtinës tashmë kanë vendosur që të dielën komunën e tyre ta udhëheqë një njeri që ka cilësi të punëtorit, njeri që ka përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe ai është Arban Abrashi.

“Entuziazmi që kanë manifestuar qytetarët e mrekullueshëm të Prishtinës në tubimet e takimet e shumta që kemi zhvilluar edhe këto ditë të fushatës për balotazhin e 19 nëntorit, janë sinjal i fitores së sigurt të z. Abrashi. Ai do të fitojë në këto zgjedhje, sepse qytetarët e Kosovës janë bindur që është zgjidhja më e mirë për qeverisje të pastër dhe të efektshme të komunës”, ka thënë kreu i LDK-së.

Sipas tij, qytetarët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës janë bindur se e vetmja forcë politike që u ka qëndruar besnikërisht interesave të tyre dhe interesit të Kosovës është Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Ne bashkërisht kemi marrë një vendim shumë të madh, kemi marrë një vendim të drejtë. Kemi vendosur që qytetin e Prishtinës ta udhëheqë një njeri që ka cilësi të punëtorit, ta udhëheqë një njeri që ka përgjegjësi ndaj qytetarëve, një njeri që vendosë gurëthemele të projekteve të mëdha të Prishtinës, dhe jo një njeri që nxjerrë gurë nëpër sheshe për ta shkatërruar qytetin e vet. Ai nuk e ka vendin në krye të Prishtinës”, potencoi Mustafa.

Kryetari i LDK-së tha se Arbani e meriton votën e qytetarëve të Prishtinës sepse është i kualifikuar, ka aftësi profesionale, është njeri i familjes së mirë, është njeri me kulturë dhe edukatë.