LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Anëtarësimi në Organizatën e Doganave ndihmon zhvillimin ekonomik

Mustafa: Anëtarësimi në Organizatën e Doganave ndihmon zhvillimin ekonomik

Kosova është bërë anëtarja e 181 e Organizatës Botërore të Doganave. Për të treguar më shumë rreth këtij anëtarësimi kryeministri Isa Mustafa ka dalë në një konferencë për media së bashku me ministrat Enver Hoxhaj, Avdullah Hoti dhe drejtori i Doganave, Bahri Berisha.

Mustafa tha se ky anëtarësim ka rëndësi të madhe për Kosovën. “Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në këtë organizatë, e mundëson që Dogana e Kosovës të merr pjesë si anëtare, me të drejta të plota. Anëtarësimi në konventa dhe instrumente tjera ndërkombëtare, ndihmon në tregtinë me shtetet e tjera, asiston në shkëmbimin e informatave dhe përvojave, përforcon sigurinë kufitare, përmirëson dhe ndihmon tregtinë e jashtme të Kosovës, lufton piraterinë, ekonominë jo-formale, ndihmon në forcimin e kapaciteteve doganore, luftimin e terrorizmit dhe shumë përfitimeve tjera”, tha Mustafa.


Ai ka vlerësuar punën e Ministrisë së Jashtme dhe ministrit Hoxhaj në këtë drejtim. Kryeministri Mustafa ka falënderuar po ashtu Qeverinë Belge dhe shumë shtete mike për përkrahjen e dhënë që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate.

Kurse, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, theksoi dy sukseset e mëdha që ka arritur Kosova këtë javë në politikën e jashtme. Ai ka përmendur njohjen e pavarësisë nga Bangladeshi si dhe anëtarësimin në Organizatën Botërore të Doganave.

“Politika e jashtme dhe tregtia e jashtme shkojnë së bashku dhe është një lajm ku Kosova realisht bëhet pjesë e 181 administratave doganore dhe e 98 për qind të tregtisë botërore, që do të thotë se është një arritje shumë e madhe. Qëllimi ynë është që përmes anëtarësimit të Kosovës në organizatat e kësaj natyre, ne mbi të gjitha synojmë që t’i përmbushim kërkesat tona të brendshme. Pra, qëllimi ynë që ta ndjekim një politikë të jashtme, e cila i përmbush nevojat e brendshme, kërkesat e brendshme dhe zhvillimi ekonomik, përmirësimi i raporteve tregtare mes Republikës së Kosovës me vendet tjera si dhe roli që mund ta ketë një anëtarësim i tillë në parandalimin e fenomeneve si terrorizimi, ekonomia joformale, janë shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm, po ashtu, foli për punën e gjatë që është dashur deri në arritjen e mbështetjes së shumë shteteve anëtare, duke falënderuar në veçanti Belgjikën, ministrin e Jashtëm belg, Didier Reynders dhe shumë diplomatë belgë dhe të shteteve tjera mike të cilët kanë pasur një rol vendimtar në mbështetjen e Kosovës, që të bëhet anëtar i plotë i kësaj organizate.

Hoxhaj, tha se Doganat e Kosovës, së bashku me Policinë e Kosovës, janë prej institucioneve më të mira që ka Republika e Kosovës dhe krejt Evropa Juglindore. “Pas FMN-së, kjo është organizata e dytë më e rëndësishme për nga anëtarësia, ndërsa unë dëshiroj t’ju them që me mbështetjen e kryeministrit Mustafa, nën lidershipin e tij, ne do të bëjmë përpjekje që gjatë këtyre muajve të ardhshëm të kemi edhe anëtarësime të tjera”, tha ministri Hoxhaj. /Telegrafi/