LAJMI I FUNDIT:

Murati nga Lëvizja për Bashkim tregon pse nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit

Murati nga Lëvizja për Bashkim tregon pse nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit

Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim (LB), në një intervistë për Telegrafin ka treguar arsyen se pse nuk do të jenë pjesë e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Murati sqaroi se me këto koalicione nuk është se ka fituar Lëvizja për Bashkim (LB), pasi sipas tij gjithmonë janë trajtuar si pjesë e një subjekti tjetër politikë.


“LB-ja ka kohë që merr pjesë në zgjedhje përmes koalicioneve, kryesisht të viteve të fundit me koalicionet e partive politike. Kanë qenë koalicione zgjedhore, asnjëherë programore. LB-ja me këto koalicione nuk është se ka fituar sidomos jo në planin e fuqisë së saj organizative, përkundrazi jemi dobësuar dhe jemi trajtuar se jemi pjesë e një subjekti tjetër politikë pa qenë”, ka thënë ai.

Murati theksoi se LB-ja përfaqëson një koncept të qartë për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se ripërcaktimin e kufijve e konsiderojnë jetik për funksionalizimin e shtetit të Kosovës.

“Opinioni e di, LB-ja e përfaqëson një koncept të qartë për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne mendojmë që zgjidhje e vetme e drejtë e mundshme ështëri përcaktimi i kufijve ku pjesa shqiptare e Preshevës, Medvexhës dhe Bujanovcit do t’i bashkohej Kosovës, pjesa serbe e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit do t’i bashkohej Serbisë, do ndryshonte Kushtetuta e Kosovës, do të hiqeshin privilegjet e pakicave sidomos asaj serbe, do të mbeteshin të gjitha të drejtat. Normalisht ne jemi për të drejtat e tyre dhe kështu Kosova do të funksionalizohej dhe do të bëhej shtet plotësisht sovran…”, sqaroi kryetari i LB-së, Murati.

Sipas tij, nuk ka kuptim që ata të jenë në ndonjë koalicion me subjektet politike nëse nuk pajtohen për çështjet kryesore të vendit. /Telegrafi/