Mungoi ndërhyrja komunale, banorët e fshatit Drenoc të Prishtinës rregullojnë vetë hapësirën publike


Banorët e fshatit Drenoc në Komunën e Prishtinës kanë njoftuar se një hapësirë publike, e cila më herët ishte përdorur si vend për hedhjen e mbeturinave, është rregulluar përmes kontributit vullnetar të organizatorëve dhe bashkëfshatarëve.
Përmes një reagimi, banorët kanë bërë të ditur se në këtë hapësirë është kryer rrafshimi i terrenit dhe është vendosur rrethoja mbrojtëse, ndërsa kanë kërkuar nga qytetarët që të mos hedhin më mbeturina në atë zonë.
"Siç jeni të informuar dhe e keni parë, hapësira ku më parë kishte mbeturina është rrafshuar dhe është vendosur rrethoja mbrojtëse. Ju lusim që të mos hidhni mbeturina në atë pjesë", thuhet në reagimin e tyre.
Sipas banorëve, kjo hapësirë është pronë publike dhe pjesë e Komunës së Prishtinës, ndërsa ndërhyrja është realizuar pas mungesës së veprimeve institucionale për rregullimin e saj.
"Ne, si organizatorë, kemi pritur me muaj të tërë që Komuna të ndërhyjë dhe ta rregullojë këtë hapësirë, por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ndodhi. Për këtë arsye, punimet u realizuan me kontribut dhe organizim vullnetar", kanë deklaruar banorët.
Sipas njoftimit, për rregullimin e kësaj hapësire janë shpenzuar gjithsej 1,580 euro. Shpenzimet përfshijnë 690 euro për rrafshimin e terrenit me bager për tri ditë pune, 660 euro për vendosjen e rrethojës, përfshirë shtyllat, telin dhe punën e dorës, 200 euro për kositjen dhe rregullimin e varrezave, si dhe 30 euro për tharjen e barit që do të përdoret për trajtimin e hapësirave përgjatë trotuarit.
Banorët kanë falënderuar të gjithë kontribuuesit dhe kanë bërë thirrje për kujdes të përbashkët në mirëmbajtjen e hapësirave publike.
"Bashkëpunimi dhe kujdesi i secilit prej nesh janë të domosdoshëm për ta mbajtur fshatin të pastër dhe të rregullt", thuhet në reagim.. /Telegrafi/




































