Muja takon qumështarët: Do të merren masa për stabilizimin e tregut të qumështit

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka zhvilluar sot një takim me Bordin Drejtues të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, ku është diskutuar situata aktuale në sektorin e qumështit.
Sipas Ministrisë, Muja theksoi se MBPZHR-ja mbetet e përkushtuar që të adresojë sfidat në këtë sektor dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për stabilizimin e zinxhirit të vlerës, duke përfshirë prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e qumështit dhe produkteve të tij.
Ai nënvizoi se mbështetja e prodhuesve vendorë, ruajtja e konkurrencës së drejtë në treg dhe siguria ushqimore janë ndër prioritetet e Ministrisë së Bujqësisë.
Tutje, në komunikatë thuhet se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të vazhdojë bashkëpunimin me prodhuesit, përpunuesit dhe institucionet përgjegjëse, me synim gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për sektorin e qumështit në Kosovë.
Ndryshe, shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHQPK) ka bërë të ditur se sektori i qumështit po përballet me një situatë të rëndë, si pasojë e mosgrumbullimit të një sasie të konsiderueshme të qumështit dhe uljes së çmimit për rreth 30 për qind.
Sipas njoftimit, gjatë mbledhjes së Bordit Drejtues të SHQPK-së u diskutua gjendja aktuale në terren dhe vështirësitë me të cilat po përballen fermerët.
Në pjesën e dytë të takimit morën pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Armend Muja, si dhe drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ku u shpreh shqetësim për pasojat që po shkakton mosgrumbullimi i qumështit në sektor.
Gjatë diskutimeve u trajtuan sfidat reale të zinxhirit të qumështit, duke përfshirë prodhuesit, përpunuesit dhe tregun.
SHQPK njoftoi se ministri Muja ka premtuar ndërmarrjen e masave të nevojshme për stabilizimin e sektorit dhe mbrojtjen e konsumatorit.
“Besojmë dhe shpresojmë se hapat konkretë të zotuar sot do të kontribuojnë shpejt në zgjidhjen e kësaj situate dhe në rikthimin e stabilitetit në fermat tona”, thuhet në reagimin e shoqatës.



















































