Muhamet Hyseni nis një aventurë të re, prezantohet te klubi rumun

Sulmuesi kosovar Muhamet Hyseni ka bërë një tjetër hap në karrierën e tij, duke u transferuar te skuadra rumune Farul Constanta.
Klubi rumun ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me klubin danez AC Horsens për transferimin e Hysenit. Sulmuesi tashmë ka kryer edhe testet mjekësore dhe i është bashkuar skuadrës së drejtuar nga trajneri Ioan Ovidiu Sabau.
Hyseni, i lindur më 6 shkurt 2001 në Podujevë, vjen pas një sezoni në futbollin kosovar, ku ishte pjesë e Llapit.
Në 32 paraqitje me klubin nga Podujeva, 25-vjeçari realizoi 12 gola dhe tri asistime, duke vazhduar të jetë një prej sulmuesve më produktivë të futbollit kosovar.
Megjithatë, sezoni më mbresëlënës i Hysenit ishte ai 2023/24. Në atë edicion, ai u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit të Kosovës, pasi realizoi plot 26 gola dhe shtatë asistime në 36 ndeshje.
Në total, Hyseni ka zhvilluar 108 ndeshje në elitën e futbollit kosovar, ku ka shënuar 41 gola dhe ka dhuruar 13 asistime.
Gjatë karrierës së tij, sulmuesi kosovar ka veshur edhe fanellat e Feronikelit 74 dhe FC Malishevës, ndërsa ka pasur edhe një eksperiencë në futbollin danez me AC Horsens.
Hyseni është gjithashtu reprezentues i Kosovës. Ai ka regjistruar dy paraqitje me fanellën e “Dardanëve”, duke realizuar edhe një gol./Telegrafi/








































