LAJMI I FUNDIT:

MPB njofton se Ligji për Pagat do të korrigjohet

MPB njofton se Ligji për Pagat do të korrigjohet

Ministria e Punëve të Brendshme, ka njoftuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kanë filluar punën në korrigjimin e mospërputhjeve eventule ndërmjet klasifikimeve që kanë qenë duke u zbatuar në sistemin e vjetër dhe në sistemin e ri të Ligjit për Pagat.

“Ministria e Punëve të Brendshme/Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (MPB/DMZP), njofton të gjitha palët se me kohë ka dërguar njoftim me shpjegimet përkatëse në të gjitha njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore, ku është bërë e njohur procedura, adresa ku dorëzohen kërkesat, dokumentet e nevojshme që mbështesin kërkesat/pretendimet e palëve etj.”, thuhet në njoftim.


“Adresa elektronike zyrtare ku dorëzohen kërkesat (info.dmzp@rks-gov.net), në të cilën, njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore, janë udhëzuar që të bëjnë përmbledhjen e kërkesave individuale për të cilat kërkohet rishikim dhe eventualisht korrigjim i mospërputhjeve dhe më pas, dorëzim të kërkesave të përmbledhura në DMZP, nga njësitë e burimeve njerëzore”, vijon kumtesa e MPB-së.

Nga MPB-ja kanë thënë se do të korrigjohen të gjitha vlerat e minusura nga mospërputhjet, dhe do të kompensohen në mënyrë retroaktive.

“Për aq sa kanë ndodhur mospërputhje, DMZP njofton opinionin se të gjitha pasaktësitë që nuk janë shkaktuar nga mungesa e klasifikimit të vendeve të punës, në përputhje me Ligjin Nr.08/L – 196 për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimin e Qeverisë Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, do të korrigjohen dhe të gjitha vlerat e minusuara nga mospërputhjet, do të kompensohen në mënyrë retroaktive”.

Ministria thotë se të gjitha pretendimet për gabime që rrjedhin si pasojë e mungesës së akteve të brendshme mbi klasfikimin e vendeve të punës nëpër institucionet që ndikohen nga Ligji për Pagat në Sektorin Publik, do të adresohen në procesin e përmbylljes së klasifikimit të vendeve të punës në institucionet publike në momentin e miratimit dhe hyrjes në fuqi të tyre. /Telegrafi/