LAJMI I FUNDIT:

Mos e përzieni fenë me politikë!

Është mbushur përplot komente e replika interneti dhe televizionet. Po komentohet aq shumë për fenë. Pse? A nuk kemi punë më të mençura sesa të merremi me komentimin e një videoje të hoxhë Irfanit, e cila u shpërnda, e i cili tha fjalë të rënda për femrat shqiptare!?

Po më çudit fakti se si u përhap kjo temë. Madje edhe në Parlamentin e Kosovës u ngrit kjo çështje. U bë thuajse e kemi të vetmin problem, duke lënë anash shumë sfida të tjera që po na presin.


Politikanë, njerëzit po vdesin nga uria, varfëria ekstreme është në rritje, korrupsioni po i ngulfat njerëzit, krimi i organizuar, kontrabanda, veriu i Mitrovicës është ende i ndarë, pasuritë shtetërore po shiten! Kurse, ju merreni me një deklaratë të një hoxhe i cili po mundohet ta përhap filozofinë e tij.

Është e vërtet që kishte fjalë shumë të rënda nga ky hoxhë. Nuk jam pro kësaj deklarate, mirëpo nuk është problemi më i madh që ka Kosova. Athua kjo po bëhet për ta tërhequr vëmendjen e popullit nga të gjitha problemet më të cilat po ballafaqohemi sot e 14 vite?

Populli shqiptar është ndër të paktë popuj që asnjëherë nuk kishte përçarje fetare. Ishim shembull për tolerancën fetare. Kurse, këto komentime rreth asaj deklarate janë përhapur aq shumë sa që edhe mund të keqkuptohet feja islame dhe të krijohen përçarjet. Jemi një shtet që po synojmë integrimet evropiane, atëherë përse po i kushtojmë rëndësi kaq të madhe një deklarate të tillë? Ky lajm nuk duhet të publikohet më, sepse ndërkombëtarët do të mendojnë për ne se jemi popull ekstremist!

Nuk duhet përzier feja me politikë! Janë organizatat joqeveritare për barazi gjinore, për mbrojtjen e të drejtave të grave të cilat edhe e ngritën zërin për këtë çështje. Kushdo që është ndier i fyer nga kjo deklaratë e hoxhë Irfanit, le të urdhërojnë në gjykatë, të padis për fyerje. E ju, politikanë, më mirë është të punoni në zgjidhjen e shumë problemeve më të rëndësishme që ka Kosova, sesa ta politizoni këtë çështje!