Një tren pasagjerësh është përplasur me një kamion në një kryqëzim hekurudhor në Gdansk të Polonisë, pasi shoferi dyshohet se kishte injoruar sinjalet dhe kishte mbetur i bllokuar mes barrierave.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur treni i kompanisë polake PKP Intercity përplaset me kamionin portokalli, duke e shkatërruar pothuajse tërësisht. Nga goditja, mbeturinat e kamionit shpërndahen në të gjithë shinat, ndërsa një re e madhe tymi dhe pluhuri ngrihet në ajër.


Ngjarja ndodhi më 3 shtator, rreth orës 12:30, pranë stacionit Gdansk Lipce. Në tren ndodheshin rreth 300 persona, të cilët udhëtonin nga Gdynia drejt Zielona Gora, shkruan thesun.

Sipas raportimeve, kamioni kishte mbetur i bllokuar mes barrierave të kryqëzimit. Shoferi tentoi ta lëvizte automjetin përpara dhe prapa në përpjekje për të dalë nga shinat, por nuk arriti ta largonte në kohë.

Pak çaste para përplasjes, disa këmbësorë pranë kryqëzimit shihen duke vrapuar për t'u larguar nga zona.

Pas përplasjes, pasagjerët u evakuuan vetë nga treni. Katër persona, mes tyre shoferi i kamionit, drejtuesi i trenit dhe dy pasagjerë, u kontrolluan nga ekipet mjekësore në vendngjarje. Shoferi i kamionit u dërgua më pas në spital për trajtim.

Shërbimet e emergjencës ndërprenë qarkullimin hekurudhor në zonë, ndërsa pasagjerët u transportuan me autobusë drejt Tczew.

Pamjet nga droni treguan përmasat e dëmit: kabina e kamionit mbeti relativisht e paprekur, por pjesa e ngarkesës u shkatërrua dhe u deformua nga goditja e trenit.

Hekurudhat Polake publikuan pamjet e kamerave të sigurisë si paralajmërim për drejtuesit e automjeteve që të mos ndalojnë kurrë mbi shina. Autoritetet theksuan se, në rast se një automjet mbetet i bllokuar në kryqëzim, drejtuesi duhet të thyejë barrierën dhe të largohet menjëherë nga shinat.

PKP rikujtoi gjithashtu se treni ka gjithmonë përparësi në kryqëzimet hekurudhore dhe se distanca e frenimit mund të arrijë deri në rreth 800 metra. Kjo do të thotë se edhe nëse makinisti e vëren një pengesë, mund të mos ketë mundësi ta ndalojë trenin në kohë. /Telegrafi/