LAJMI I FUNDIT:

Molliqaj kërkon ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Molliqaj kërkon ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Protesta e së shtunës mblodhi me qindra qytetarë në sheshet e kryeqytetit për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale që dënoi me 26 vjet burgim ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka thënë se procesi i speciales ka nxjerrë një mësim, se liria mund të fitohet një herë por duhet mbrojtur çdoherë.

“Lufta për liri është shenja e shtetit tonë dhe procesi specialë është provë e gjallë. Edhe 23 vite pas çlirimit të Kosovës, çlirimi ka kosto. Shikojeni gjykimin e ushtarëve të lirisë në Hagë, e kjo është sakrifica. Shikojeni aktgjykimin e kësaj gjykate, ku thuhet se duhet të dënohet Salih Mustafa edhe kur plumbi është nga serbët. Procesi i speciales na ka nxjerrë një mësim, liria mund të fitohet një herë por duhet mbrojtur çdoherë sepse në momentin që nuk mbrohet shtrembërohet”, tha Molliqaj.


Ai po ashtu kërkoi ndryshimin e Ligjit të Dhomave të Specializuara nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Ftesa jonë është e qartë që duhet të bëhemi bashkë nëse e kemi përnjëmend mbrojtjen e UÇK-së. Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe Rexhepi janë udhëheqësit e UÇK-së, ata që nuk i duan udhëheqësit nuk e duan UÇK-së. Duhet të ndërrohet juridiksioni i kësaj gjykate. Neni 6 i këtij ligji duhet të kërkoj ndjekjen e krimeve e jo ndjekjen e UÇK-së. neni 16 po i jep mundësi gjykatës për ndjekje arbitrare. Përmes këtij neni nuk po kërkohen dëshmi dhe prova por po kërkohen komandantët dhe udhëheqësit që të dënohen. Me lejoni të ftoj të gjithë deputetët që të bëhemi bashkë dhe të nisim nismën ligjore për ndryshimin e këtij ligji. Nëse deputetët nuk do ti përgjigjen ftesës për ndryshime ligjore, ne do të nisim nismën ligjore bashkë me qytetarët për të ndryshuar këtë ligj. Këtë betejë nuk do ta ndalim”, ka thënë Molliqaj. /Telegrafi/