LAJMI I FUNDIT:

Mohoi gjenocidin në Srebrenicë, Dodik ftohet nga prokuroria boshnjake

Mohoi gjenocidin në Srebrenicë, Dodik ftohet nga prokuroria boshnjake

Prokuroria boshnjake ka thirrur anëtarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Presidentin e SNSD -së, Milorad Dodik, për t’u marrë në pyetje për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë.

Ky informacion u konfirmua nga vetë Dodik gjatë vizitës së sotme në Mostar. Ai e njoftoi këtë duke komentuar faktin se kryetari i Jablanicës, Damir Sabanoviq (SDP), paraqiti një kallëzim penal kundër tij për mos angazhimin e helikopterëve të Forcave të Armatosura (OS) për të shuar zjarrin. Jablanica ishte ndër zonat ku kishte zjarre të mëdhenj disa ditë më parë.

“Të gjithë kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Unë mendoj se unë jam personi kundër të cilit ka më shumë akuza penale. Diçka vjen çdo ditë. Unë shoh që Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ka mbërritur sot për të më marrë në pyetje për mohimin e dyshuar të gjenocidit. Ne thjesht nuk duam që të huajt të vendosin ligje. Pavarësisht se cila është përmbajtja e ligjit. Është e qartë se ne në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk do të pajtohemi kurrë për këtë. Ne serbët nuk jemi subjekte dhe nuk duam të kemi të huaj që do të vendosë për këtë”, tha ai, raporton klix.ba.

Ju kujtojmë se ish-Përfaqësuesi i Lartë, Valentin Inzko vendosi një ndalim ligjor për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë më 23 korrik, para përfundimit të mandatit të tij.

Në të njëjtën ditë, Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës njoftoi se do të ngrite padi kundër të gjithë atyre që do të shkelnin këtë ligj.

Ky ligj është i papranueshëm për partitë politike nga Republika Serbe gjersa Dodik është ndër politikanët më të zëshëm nga ky entitet që kanë mohuar gjenocidin në Srebrenicë prej vitesh. /Telegrafi/