Një shtetas i Kosovës është ekstraduar nga Italia në Kosovë, pas arrestimit të tij nga autoritetet italiane në bazë të një letër rreshtimi ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar më 23 korrik 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.


"I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet italiane ku i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’ dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë”, ka bërë të ditur policia.

Sipas policisë ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Italisë. Pas kthimit në Kosovë, i dyshuari është dorëzuar tek autoritetet kompetente.

"I dyshuari, pas ekstradimit, iu është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë, rajoni i Prishtinës për vazhdim me procedurat tjera ligjore”, theksohet në njoftim.

Policia e Kosovës theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë në luftimin e kriminalitetit.

"Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit", ka njoftuar policia. /Telegrafi/