LAJMI I FUNDIT:

Mogherini: Bota ka nevojë më shumë se kurrë për një Evropë të fortë

Mogherini: Bota ka nevojë më shumë se kurrë për një Evropë të fortë

Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Federica Mogherini, në prag të 9 Majit, “Ditës së Evropës” ka përcjell mesazh tek të gjithë qytetarët, në të cilin tregon arsyet pse bota ka nevojë për Evropianët.

Në mesazhin e saj, Mogherini ka thënë se për herë të parë në histori, Bashkimi Evropian po përballet me një kërcënim ekzistencial.


“Nuk ka të bëjë thjesht me terrorizmin. Ne i kemi mjetet për ta mposhtur kërcënimin terrorist dhe për ta parandaluar radikalizmin. Ai sigurisht nuk ka të bëjë me migrimin. Një Bashkim prej gjysmë miliardi njerëz mund t’i menaxhojnë flukset aktuale, t’i mbrojë jetët dhe të ndërtojë partneritete të forta me vendet e tjera në rajonin tonë dhe përtej”, ka thënë Mogherini.

Mogherini më tej ka thënë se ky kërcënim vjen brenda kufijve të Evropës, i cili rrezikohet kur ndërtojmë muret në vend që t’i shembim ato.

Ajo ka thënë se identiteti evropian bazohet në diversitet, prandaj BE rrezikohet nëse njerëzit diskriminohen në bazë të ngjyrës së lëkurës, mënyrës se si flasin apo si luten.

“Në këtë çast të vështirë në historinë e botës, bota ka nevojë më shumë se kurrë për një Evropë të fortë. Ne kemi përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë, si dhe ndaj pjesës tjetër të botës, sepse nga do që shkojë, njerëzit e shohin Evropën si shpresë”, ka thënë më tej Mogherini.

Ajo fjalimin e saj e vazhdon me lirinë që ekziston në Evropë, që njihet si partneri kryesor tregtar, investitori dhe donatori i parë për ndihmë humanitare, si dhe fuqia e parë diplomatike.

“Ja pse kemi nevojë për Evropën sot: Për të qenë krenarë për atë çka kemi arritur, për të kujtuar se nuk mund ta marrim si të mirëqenë, si dhe për të kuptuar se evropianë dhe jo evropianë kanë nevojë për Evropën. Ne kemi nevojë për lidershipin, jo për populizëm. Ne duhet ta ruajmë Evropën dhe ta reformojmë atë. Ka ardhur koha ta ndryshojmë Bashkimin tonë, ta shpëtojmë Bashkimin tonë. Kjo është domethënia e këtij festimi. Gëzuar Ditën e Evropës!”, ka thënë Mogherini në fund.