LAJMI I FUNDIT:

Mixha Man

Mixha Man
Ilustrim

Grremçit, atë ditë që shkoi në komunë, as që i vajti mendja prej nga kanë ardhur të parët e tij, e lëre më për tapinë që mund ta ketë marr ai Mani i parë i tyre, stërgjyshi a katragjyshi i këtij Manit, i biri i të cilit ishte edhe mixha Man.

– Më duhet një certifikatë e vdekjes së mixhës Man, i kishte thënë nëpunësit. Kam këtu certifikatën e lindjes së tij në të cilën shkruan se mixha ka lindur në vitin 1891 në Zezë.


– A ka lënë fëmijë mixha? – e pyeti nëpunësi.

– Po, ka lënë një vajzë e një djalë! – ishte përgjigjur Grremçi. Edhe ata kanë vdekur. Hiq pa pritur, në bisedë kishte ndërhy një nëpunës tjetër aty afër.

– Duhet të nxirrni certifikatat e vdekjes së dy fëmijëve dhe të Manit. Grremçi pastaj kishte nxjerr ato dy certifikata, por jo edhe të mixhës, pasi atë nuk e gjenin dot në regjistrin e të vdekurve.

– E halli? – kishte pyetur Grremçi, nëpunësin!

I hutuar krejt, nëpunësi iu kishte drejtuar nëpunësit tjetër të gjendjes civile, se çka duhet bërë tash? Ta pyesim nëpunësin juridik se çka thotë ai, kishte thënë nëpunësi.

Iu kishin drejtuar nëpunësit për çështje juridike, i cili ishte në vend pune për çdo rast që dikush ka nevojë për ndihmë. Ai pa një pa dy i kishte thënë Grremçit se duhej të bënte një padi në gjykatën komunale të fshatit Zezë dhe atje të vendoset për këtë çështje.

Kishte angazhuar Grremçi një avokat për ta bërë një fletë padi dhe kishte paguar 30 euro. E kishte dorëzuar padinë në gjykatë dhe atje kishte paguar edhe 20 euro taksë.

Kishte pritur 30 ditë për një përgjigje dhe kishte ardhur koha për seancë, ku duhej të ishin edhe dy dëshmitarët bashkë me Grremçin.

Atë ditë Grremçi i mori dy dëshmitarë dhe pagoi 20 euro taksin deri në gjykatë. Kishin hyrë brenda në zyre të gjyqit të gjithë; edhe Grremçi edhe dy dëshmitarë. Gjykatësi nuk kishte pyetur askënd për asgjë, por Grremçit ia kishte kumtuar vendimin negativ pa fol edhe një fjalë. Pastaj Grremçi, pensionist i tronditur, kishte filluar të llogariste shpenzimet që bashkë me udhëtimin i kishin kushtuar mbi 100 euro.

Pas refuzimit nga gjyqi, Grremçi kishte filluar të rropatej me historinë e familjes, por nuk po ia dilte dot se çka duhej bërë më tutje. Nisi të mendonte edhe për atë Manin e parë, por nuk e dinte dot se cili mund të ketë qenë ai dhe sa veta e kanë pasur emrin Man deri të mixha Man? Ata janë shumë dhe kanë vdekur moti. Çka është më keq atyre nuk iu dihen as varret.

Grremçi, i biri i vëllait të mixhës Man, u zhytë thellë në humnerën e origjinës e cila e dërgonte deri në arkivat e Perandorisë Osmane, në mos edhe të Vatikanit?!

Hajde babë, hajde i tha veti!

Mani i Manit të Manit nuk e dinte edhe sa Mana para tij kanë pasur këtë emër! As i kishte treguar dikush se prej nga kishin ardhur e ishin vendosur në fshatin Zezë, para më shumë se dyqind vjetësh. Thuhet se kishin ikur nga belaja me fqinjët që i kishte ndjekur për dekada me radhë, por këto mund të ishin vetëm thashetheme, pasi askush nuk kishte treguar kurrë se prej nga kishin ardhur të tij në Zezë. Thonë se pasi ishin larguar nga vendlindja, i zoti i familjes kishte vendosur të mos tregonte nga ka ardhur, kudo që do të vendosej në ndonjë tokë të re. Ajo familje, pasi kishte kaluar ditë e net në rrugë, duke synuar të ikte sa më larg ku nuk e arrin pushka e hasmit, kishte takuar në rrugë dy zapti të Asllan Pashës.

Zaptia i kishin thënë Manit që të paraqitet në shehër për të kuptuar më mirë se ku mund të vendoset. Pasi kishte arritur në shehër, Manin e kishin orientuar që të shkonte të bejlerët e të merrej vesh me ta. Ata kanë prona në shumë fshatra edhe deri pesëdhjetë kilometra larg. Ai Mani, nuk dihet cili Man ishte me radhë, pasi ky emër ishte përtërirë shumë herë, kishte mësy Beun e parë në të cilin ishte zatet.

Beu i kishte treguar se në Zezë ka mjaft tokë, lëndina, shkurre e mal të mirë. Fshati nuk ka banorë tjerë. Ka kroje për jetë në çdo hap. Nëse ta mbërrin kuleta (paret që ishin zakonisht monedha ari) toka bëhet e juaja me tapi, i kishte thënë Beu. Nëse nuk ta mbërrin kaçiku, do shohim e ta bëjmë çarën dhe të pranojmë të bëhesh çifçi yni. Mani kishte menduar gjatë për mundësitë që ka.

Pastaj, Beu i kishte treguar, se janë duke pritur edhe dy familje për vendosje, por as atyre nuk po iu del hesapi tamam. Po të bëheni bashkë e ta blini krejt fshatin që është pronë e imja, mund të shkoni e të vendoseni menjëherë me tapi në letër. Grremçit i shkoi mendja, mos të parët e tij nuk kanë pasur lira ari sa duhet dhe janë vendosur çifçi të Beu i shehrit?

Tre kryefamiljarët ishin takuar bashkë dhe kishin bërë mirë llogaritë.

Pasi kishin shkuar e kishin parë mirë fshatin, dhe pasi ishin pajtuar edhe si do ta ndanin në tri pjesë, ishin kthye në shehër. Kishin shkuar të Beu dhe ia kishin tharë lirat e arit në dorë.

Duke ditur mirë marrëdhëniet shumë herë të këqija, jo vetëm mes fiseve, por edhe familjeve, askush nga pushteti i kohës nuk kishte shtruar pyetje se prej nga po vjen ky apo ai njeri, pasi të gjithë ishin banorë të Perandorisë.

Katundi Zezë, kishte pasur zyre të vendit dhe ofiqari edhe në kohën e mbretit e të krajlit, por kësaj radhe nuk po kryente dot punë Grremçit.

Nëpunësi i zyrës së Zezës i kishte thënë Grremçit që të shkonte në atë komunën tjetër në shehër, pasi mixha kishte vdekur atje. Ata zyrtarët e komunës së shehrit tjetër, le ta kërkojnë mixhën Man defterin e të vdekurve!

Grremçi udhëtoi me tren deri në atë shehrin tjetër. Pasi pyeti dy tre kalimtar, gjeti edhe ndërtesën e komunës tjetër. Në të gjitha sportelet e priten mirë duke e orientuar atje ku duhet.

Më në fund, Grremçi u gjend përball nëpunësit të duhur.

Mirëdita! – përshëndeti nëpunësin Grremçi

Mirëdita, tha nëpunësi!

Mund të na thoni çfarë kërkese keni?

Më duhet një certifikatë për mixhën Man që ka vdekur moti.

Kur ka lindur ai?

Hë! Moti! Në zyrën e vendit në Zezë, ia gjetëm edhe certifikatën e lindjes, kishte treguar Grremçi. Viti i lindjes 1891?!

1891!? e përsëriti numrin, nëpunësi i habitur.

Po, me 1891! Ashtu shkruan edhe në certifikatë, tha Grremçi.
E po mirë, vazhdoi nëpunësi të kërkonte menjëherë emrin e Manit në librin e të vdekurve.

Ofiqari mori e rrotulloi mirë e mirë një libër regjistri të të vdekurve, por kot. Hapi edhe librin e dytë, serish kot. Emri i mixhës Man i lindur më 1891 nuk ishte! Ofiqari hapi e shikoi mirë e mirë edhe librin e tretë të të vdekurve, por emri i Manit nuk ishte askund.

– A ka vdekur përnjëmend ky njeri,?- pyeti nëpunësi Grremçin.

– Po ka vdekur moti! Bile unë isha akoma i ri kur pat vdekur mixha Man. Isha shumë më i ri se sot. E kemi varrosur si çdo të vdekur, këtu në shehër. Ai e pat shitur tokën në fshat dhe pat ardhur këtu në shehër. E kishte një djalë dhe një vajzë. Vajzën e pat fejuar e martuar në një fshat afër, por pa kaluar pesë gjashtë vjet, dhëndri me familje qe shpërngulur në shehër. Kur vajza me të shoqin dolën në shehër, edhe mixha vendosi të shkonte atje që ta kishte vajzën më afër. Axhës i pat vdekur e shoqja shumë herët dhe mezi i pat rritur dy fëmijët që i mbeten jetimë. Bleu edhe pak truall e një shtëpi të vogël, të mjaftueshme për jetë në shehër. Sa ishte në fshat pat hequr shumë, sepse duhej të gatuante vet, pasi furrë buke nuk kishte afër. Sa ishte vajza pa martuar, kujdesej për babin, por kur u martua nuk mund të vinte përditë për të gatuar për dy veta. Ajo ua pastronte edhe ato pak rroba që kishin. Nuk jetoi edhe shumë vjet në shehër dhe vdiq. Djali i sëmur mbeti vetëm. Pa kaluar edhe shumë vjet, edhe ai vdiq. Vajza jetoi me fëmijët e saj aty afër deri sa vdiq edhe vet. Bile, për ta varrosur mixhën në varrezat e shehrit, asokohe nuk kishte ndonjë pengesë nga hyqymeti.

– Për neve që tash punojmë në zyre për këso punësh, ai njeri nuk ka vdekur, tha nëpunësi.

– E halli?- pyeti Grremçi.

– Për neve në Komunë, Mani është gjallë akoma, vazhdoi nëpunësi. Pa u shënuar emri i tij në këtë libër, Mani është gjallë.

Grremçi mbeti i stepur! Nisi të fliste vet me veti më zë!

Vallë a është e mundur të jetë gjallë mixha Man, pyeti vetën? Mos vallë, atë ditë që shkuam ta varrosim, mund të na ketë mashtruar dikush? Ndoshta atë ditë, ai mund të ketë ikur nga vdekja. Ndoshta e kishte marr malli për ta parë vendlindjen dhe i ka ikur vdekjes që kishte ardhur ta merrte.

Atë ditë, ndoshta e varrosem vetëm vdekjen e Manit e jo edhe mixhën Man!? Grremçi nisi të dyshonte për gjithçka. Edhe vetja iu bë i dyshimtë.

– Është i gjallë apo i vdekur mixha Man?

Nëse Mani i lindur në vitin 1891, për këta zyrtarë qenka gjallë, edhe unë mund të mos jem gjallë, filloi të dyshonte edhe për vetveten, Grremçi. Gjithçka iu bë tërkuzë.

Nëpunësi e pa që fshatari po fliste përçartë duke u larguar nga sporteli dhe nuk po e gjente as derën për të dal nga ndërtesa e komunës. Portieri i ndihmoi qe të mos ia huq portës së hapur krah e krah.

Doli pa ditur ku do të shkonte ta kërkonte mixhën Man, që akoma qenka gjallë?! Po ku mund të ketë jetuar mixha i gjorë gjithë këto vite, kur na menduam se e varrosem atë ditë pranvere, në vitin 1978.

– Në komunë më thanë se ai është gjallë- i tha vetit disa herë. Më thanë se duhet të paguani një avokat. Duhet të bëni padi në gjykatën tuaj komunale. Pastaj do të mbahet seanca gjyqësore dhe aty vendos gjykatësi i lëndës; se a është gjallë Mani apo jo. Duhet se paku edhe dy dëshmitarë që kanë qenë në varrimin e Manit. Bile ata dëshmitarë duhet të jenë me moshë të përafërt me Manin?

– Po ku ka dëshmitarë që kanë jetuar nga viti 1891, sa mixha Man, o njeri? – pyeti vetën përçartë Grremçi.

Nisi të llogariste me gishta sa vjet mund të kishte mixha deri në këtë ditë? Murmuriti gjatë me numra nëpër gishtat e dorës, dhe llogaria i doli se mixha tash ka hiq më pak se 132 vjet dhe akoma është gjallë në komunë.

Mos ndoshta ka punuar në komunë gjatë gjithë kësaj kohe? – tha vet me veti Grremçi duke qeshur me zë, krejt i humbur.

Duke ecur drejt stacionit të autobusëve për t’u kthyer në shtëpi, huqi rrugën disa herë. Bile as nuk i shkoi mendja se vendi i tij tash është shtet i pavarur, është Republikë, për të cilën kanë dhënë jetën shumë njerëz. Tash kishte ndryshuar gjithçka. E pa më në fund se rruga nuk ishte ajo nëpër të cilën ka udhëtuar me qindra herë, por krejt një tjetër. Kërkoi ndihmë për ta gjetur rrugën deri në stacionin e autobusëve.

Edhe aty, krejt i humbur vazhdoi të fliste vet me veti: Mixha qenka gjallë! Gjallë ishte mixha Man! Bile ai zyrtari më tha se për ata të komunës, mixha yt është gjallë, hiq pa dëshmitarë.

– Ndoshta sot ai është plakur shumë dhe as na nuk e njohim edhe po ta shohim.

– Unë e kam njohur mirë mixhën Man, por as ky fakt nuk po mjafton, pasi dëshmitarët që kanë jetuar me të, kanë vdekur moti.

– Po ku gjen sot dëshmitar për njeriun që ka lindur në vitin 1891, e i cili sipas nëpunësve të komunave tona është gjallë akoma?

Nuk mjafton pse e kam njohur unë dhe pse në varrimin e tij kanë marr pjesë disa dhjetëra njerëz.

– Nëpunësi më tha se mixha është gjallë në komunë!

Bile, Grremçi nisi ta gjykonte veten pse nuk i shkoi mendja të kërkonte nga nëpunësit që ta shoh mixhën?

– Certifikatën që kërkova nuk ma dhanë.

Ai zyrtari, pa u ndarë prej tij, më tha edhe do fjalë të majme!

– A keni zyre të vendit në Zezë, ku kryhet kjo punë?- e kishte pyetur Grremçin nëpunësi?

– Natyrisht që kemi! -ishte përgjigjur Grremçi.

– Ju atje qenkeni më të vdekur se ai i vdekuri!- i kishte thënë ai nëpunësi i shehrit të komunës tjetër. A e dini që Kosova është shtet i pavarur që nga viti 2008? A e dini që Kosova ka administratë, gjyqësi të gjitha niveleve, ka polici, ka ushtri? A e dini që kemi ligjet tona? Nëpunësit tuaj, ma çfarë dreq ligjesh e letrash punojnë atje në Zezë?

– Mani ka lindur në Zezë kur sundonte Perandoria Osmane.

– Bile ai Mani i gjorë ka jetuar në Perandorinë Osmane deri në moshën 21 vjeçare. Ai pastaj ka jetuar edhe nën pushtetin serb që është ndërruar tri a katër herë gjatë një shekulli.

– Me cilat ligje gjykojnë ata zyrtarët- nëpunësit tuaj të dreqit, me kadiun e mbretit apo me sudinë e Serbisë?

Nëse ato shërbimet administrative të Zezës nuk paskan kuptuar akoma se Kosova është shtet i pavarur, tregoju se për ta regjistruar Manin në librin e të vdekurve sipas dijes suaj, duhet të shkoni në Ankara, sepse as Stambolli më nuk është kryeqytet i Turqisë. Por, ta dini se as atje nuk do të gjeni asgjë, pasi edhe ajo Perandoria osmane nuk ekziston moti dhe tash ka emër e ligje krejt të reja të kohës.

Sa kemi qenë nën pushtimin serb, edha ata pushtuesit serb pat bërë regjistrat të vet. Kanë punuar me ato letra të veta edhe në gjuhën e vet. Kosova ka krejt administratën që i duhet një shteti. Thuaju nëpunësve tuaj të gjykojnë e vendosin sipas ligjeve të Kosovës, e të mos i shtyjnë qytetarët nevojë e pa nevojë, që të kërkojnë ndihmë nga strukturat paralele të krejt administratës serbe, të shtetit serb, që akoma i paguan Beogradi sikur gjatë gjithë kohës së pushtimit të Kosovës.