Muzeu i Përgjimeve ”Shtëpia me Gjethe” është kthyer tashmë në një atraksion turistik jo vetëm për vizitorët shqiptarë por veçanërisht për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Drejtoresha e këtij muzeu, Etleva Demollari, në një prononcim për ATSH-në u shpreh se “ky muze i hapur për publikun në 23 maj të vitit 2017 është vizituar nga 9,500 vizitorë deri në fund të vitit 2017, ku 5300 kanë qenë vizitorë shqiptarë dhe 4200 vizitorë të huaj”.

Interesi i madh i vizitorëve të huaj ka qenë dhe vazhdon të jetë dhe për këtë fillimvit, për misterin që mbart ky muze nga e shkuara e largët me pajisjet e përdoruara në atë periudhë që synonte kontrollin total mbi trupat dhe shpirtrat e njerëzve.

Demollari thotë se për turistët e huaj ky muze ofron një itinerar njohës, ose ndryshe është një muze ndërveprues ku, përveçse filmimeve, objektet e asaj kohe mund të preken, pasi ato janë të ekspozuar dhe janë objekte autentike të përdorura nga regjimi komunist për të përgjuar, kontrolluar dhe spiunuar njerëz të pafajshëm.

“Shtëpia me Gjethe”, godina e mistershme, e cila prej 45 vjetësh mbuluar nga gjethet iu fsheh syrit të publikut, është një godinë që fsheh saj histori dhe sekrete të mëdha që ka përjetuar populli gjatë viteve të izolimit total.

E ndërtuar në vitin 1931, godina e njohur në Shqipëri si “shtëpia e gjetheve”, fillimisht ka patur funksionin e një klinike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950 ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të sigurimit. /ATA/