LAJMI I FUNDIT:

Ministrja Bajrami në Forumin Botëror të Turizmit në Luzern

Ministrja Bajrami në Forumin Botëror të Turizmit në Luzern

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, po merr pjesë në Forumin Botëror të Turizmit në Luzern të Zvicrrës. Në këtë forum po marrin pjesë liderë global të fushës së turizmit nga institucionet shtetërore, akademike dhe nga bota e biznesit.

Në këtë forum, ministrja Bajrami foli për përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në zhvillimin e turizmit.

“Kosova ka shënuar përparime të shumta në zhvillimin e saj në shumë fusha, përfshirë edhe turizmin i cili ka një rritje progresive nga viti në vit. Natyrisht, sektori i turizmit ka potencial shumë të madh për zhvillim të mëtejmë, dhe Qeveria e Kosovës po punon që t’i avancojë politikat e saj karshi këtij sektori”, tha Ministrja.

Ajo nënvizoi se po punohet që të fuqizohen më tutje kapacitetet institucionale në nivel qendror dhe lokal që do të shtyejnë më tej agjendën e zhvillimit dhe promovimit të turizmit në vendin tonë.

Po ashtu, ministrja Bajrami theksoi se Qeveria do të mbështesë Këshillin Kombëtar të Turizmit, i cili do të funsionalizohet së shpejti, duke shërbyer si një mekanizëm i rëndësishëm për qeverinë e vendit në ofrimin e ideve dhe këshillave sa i takon trendeve moderne të zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm.
Bajrami tha se Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur edhe për anëtarësim në Organizatën Botërore të Turizmit dhe i ftoi delegatët e pranishëm që ta mbështesin Republikën e Kosovës në këtë proces i cili do t’i jepte nxitje serioze zhvillimit të turizmit kosovar si dhe integrimit të vendit tonë në hartën turistike ndërkombëtare.

Gjatë kësaj vizite, ministrja Bajrami pati një sërë takimesh bilaterale me liderë ndërkombëtarë të industrisë së turizmit, siç ishte takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Taleb Rifai si dhe me përfaqësuesë të qeverive të ndryshme dhe udhëheqës organizatash ndërkombëtare në fushën e turizmit. /Telegrafi/