LAJMI I FUNDIT:

Ministria subvencione edhe për personat që si merituan

Ministria subvencione edhe për personat që si merituan

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, anëtarët e të cilit e kanë akuzuar për ndarje të dyfishtë të subvencioneve, procedurë jo të mirë të përzgjedhjes së fermerëve, etj.

Deputeti nga LDK-ja Ali Sadria e ka akuzuar ministrin Krasniqi për kthimin e një numri të madh të aplikacioneve të fermerëve për grante bujqësore me arsyetimin se aplikacioni nuk është i plotësuar ose në rregull.


Sadria ka kërkuar që në këto raste fermerëve t’u kërkohet plotësimi i aplikacioneve dhe jo të shpallen si aplikacione të pavlefshme, pasi sipas tij në Kosovë duhet gjendja e shkollimit të qytetarëve dhe jo çdo kush mund ta bëjë një aplikacion pa vërejtje.

“Në momentin e dorëzimit referenti, administratori, zyrtari quajeni qysh të doni, e pranon dokumentacionin, ai e shfleton dhe konstaton që mungon ky dokument dhe ta afatizon atë që e kërkon. Ju 40 ditë e keni lënë afatin, 45 shumë mirë,. Nëse në ditën e 30 e ka pru dokumentacionin dhe nuk e ka të plotë pse me e pranua atë dokumentacion duke qenë me i thënë ‘nuk e ke këtë dokument’, pra me kohë me diskutuar dhe unë ju kuptoj juve se nëpër qendra nuk mundeni edhe me i kontrollua. Ka pas lëshime se edhe ne jemi njerëz, jetojmë këtu, unë vij nga komuna e Shtimes, jetoj në Prishtinë prej 1977. Atje i janë dhënë dy njerëzve që nuk e meritojnë, nuk e punojnë atë punë, njëri merret me ndërtim të rrugëve tjetri merret me kurrgjë, me krime. Është kriminel lufte, i dënuar 11 vjet dhe i kanë dhënë donacion edhe të lartë të bujqësisë”, ka thënë Sadria.

Mirëpo, ministri Memli Krasniqi iu ka përgjigjur deputetit Sadria duke thënë se Ministria i merr parasysh plotësimin e kritereve që kërkohen me ligje dhe udhëzime në fuqi dhe jo se kush është përfituesi apo çështje tjera.

“Mesatarisht në vit prej Programit të Zhvillimit Rural janë rreth 400 përfitues, sivjet janë mbi 500 përfitues. Krejt qytetarët e Kosovës pa dallim që i plotësojnë kriteret të UA-së sepse ai është akti nënligjor i bazuar në ligjit përkatëse kanë të drejtë me aplikua, pavarësisht kah janë, kush janë, tek janë, nëse i plotësojnë kriteret dhe dalin, së pari kriteret e pranueshmërisë, pastaj kriteret e poentimit dhe dalin në kuadër të përfituesve derisa të harxhohet buxheti në masën e caktuar, atëherë ne nuk kemi të drejtë për asnjë arsye tjetër me e kontestua. Në momentin kur mundet me pas arsye konkrete, ju e dini që edhe në Kuvendin e Kosovës unë jam i pari që kam bërë thirrje me na njoftua neve për këtë punë sepse ne do ta marrim përgjegjësinë edhe për t’i ndjekë penalisht në kuadër të përgjegjësive tona”, tha Krasniqi.
Ministri Krasniqi u pyet edhe për pagesat e dyfishta.

Deputeti i PDK-së Avdyl Ymeri kërkoi të dijë pse ka ndodhur që një njeri të paguhet dy herë për të njëjtën çështje.

“Do të thotë tek pagesat direkt fermerët shkojnë aplikojnë nëpër komuna pastaj komunat i përcjellin Agjencionit të Zhvillimit të Bujqësisë. Në momentin e vlerësimit pas kontrolleve në terren, do të rikthehem edhe kësaj çështjeje normalisht, këto kalkulime bazuar në verifikime procedohen në Agjencionin për Zhvillimin e Bujqësisë që është Agjencion i pagesave edhe pse nuk i kryen pagesat ende, procedohen në Ministrinë e Bujqësisë, verifikohen edhe një herë në kuptimin procedural dhe kuptimin e dokumentacionit dhe pastaj procedohen në thesar, pra theksimi i çështjes tek pagesat e dyfishta thotë se në disa raste është paguar i njëjti përfitues dy herë, por kjo nuk është bërë prej ministrisë së Bujqësisë, ko është bërë prej thesarit, ne nuk kemi kontroll në këtë proces, është theksuar edhe në raportin e Auditorit”, tha ai.

Ndërsa, deputetja Synavere Rysha përveç pagesave pati pyetje rreth punësimeve me kontratë mbi vepër në Ministrinë e Bujqësisë.

Ajo tha se në këtë Ministri ka pas 330 vende të lira të punës ndërsa i ka punësuar vetëm 323 duke kërkuar të dijë pse nuk janë punësuar edhe numri i mbetur me kontratë të rregullt, por një numër i punonjësve po mbahen me kontratë mbi vepër për vite me radhë gjë që është në kundërshtim me ligjet në fuqi.

“Çështje e shpenzimeve jo përmes prokurimit apo kontratat në vepër janë diku 70 të punësuar që janë me kontratë në vepër, vazhdojnë me qenë nga viti në vit edhe pse auditori ka dhënë komandime për me e ndërpre këtë veprimtari sepse është çështje e kohës së caktuar, 6 muaj më tepër nuk ka mundësi me qenë një i punësuar me kontratë mbi vepër por ka vazhduar nga viti në vit dhe nuk e ka cek sa vite janë aty.Unë nuk po spekuloj tash nuk mund të them sa vite por thuhet nga viti në vit dhe bëhet fjalë për disa vite radhazi që i mbani të punësuarit në anën tjetër e keni një numër diku të lejuar e buxhet rreth 330 ndërsa stafin e keni 323. Keni pas mundësi të angazhoni të paktën edhe një numër të caktuar por nuk e keni bërë, ata vazhdojnë me qenë me kontratë mbi vepër. Pse ministër kjo situatë, pse po vazhdoni me i mbajt në këtë formë këta të punësuar?”, pyeti Rysha.

Ministri Krasniqi duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së LDK-së tha se edhe pse kanë ekzistuar vendet e lira të punës, nuk është ndarë buxhet për punësime në këto vende gjë që është vazhduar tradita e punësimeve me kontratë mbi vepër.

“Ne nuk mund të krijojmë vende të reja të punës pa u miratua ato në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe le që nuk janë miratuar por ju e dini që ka pas një çështje të racionalizimit të shpenzimeve në kategorinë e pagave dhe mëditjeve ku bile edhe pa qenë krejt të njoftuar ne si agjencione të pavarura buxhetore ta zëmë për vitin 2016 është bërë buxhetimi duke u nisur nga shpenzimi real i muajit qershor i vitit 2015 e jo nga numri i vendeve të punës të miratuara, çka dua të them, kanë qenë 323 vende, por nuk k pas mjete për 323 vende, kjo është arsyeja”, tha Krasniqi.

Në komision janë diskutuar edhe çështje tjera që lidhen me sektorin e bujqësisë siç është menaxhimi me tokat pyjore për të cilën Krasniqi ka thënë se me ligj pyjet i takojnë shtetit dhe Agjencionit të Pyjeve të Kosovës etj. /Telegrafi/