LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Infrastrukturës tregon për gjendjen e rrugëve në Kosovë

Ministria e Infrastrukturës tregon për gjendjen e rrugëve në Kosovë

Ministria e Infrastrukturës po vazhdon mbikëqyrjen e kompanive të mirëmbajtjes së auto-udhëve, rrugëve rajonale dhe nacionale të Kosovës.

Në të shtatë regjionet e Kosovës, kompanitë kontraktuese po vazhdojnë aktivitetet e tyre të mirëmbajtjes dimërore në baza ditore, ku rrjedhimisht konstatohet se, në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës është bërë shpërndarja e kripës si preventivë ndaj krijimit të ngricave mbi shtresat qarkulluese, shkaku i mjegullës dhe temperaturave nën zero. Por, pavarësisht intervenimeve, rrugët vazhdojnë të mbeten të lira për qarkullim.


Në kilometrin e 12-të të rrugës N9 Pejë-Kuçishtë-Bogë, të rajonit të Pejës, është duke u punuar në sanimin e deformimit të trupit të këtij segmenti rrugor. Përndryshe, të gjitha rrugët e këtij rajoni janë krejtësisht të qarkullueshme.

Krejtësisht të lira për qarkullim janë edhe rrugët e rajonit të Ferizajt.

Ndërkaq, sipas nevojës, po intervenohet me kripë edhe në rrugët e rajonit të Gjilanit.

Rrugët në rajonin e Gjakovës gjithashtu janë të lira dhe në gjendje normale, pa ndonjë intervenim shtesë.

Intervenime me kripë po bëhen edhe në rrugët e rajonit të Prizrenit, saktësisht në drejtimet Prizren-Carralevë, Prizren-Prevallë dhe Zhur-Restelicë.

Po ashtu mirëmbajtjes dimërore po i kushtohet kujdes i veçantë edhe në autoudhët e Kosovës. Kësisoj, në drejtimin Suharekë-Morinë dhe Suharekë-Gjurgjicë të autoudhës “Ibrahim Rugova”, po intervenohet me kripë si masë sigurie. E njëjta masë po ndërmerret edhe në autoudhën A6 Doganaj-Han i Elezit.

Kryesisht, të gjitha rrugët të cilat mirëmbahen nga Ministria e Infrastrukturës, janë të kalueshme dhe të gatshme për qarkullim të lirë të automjeteve. /Telegrafi/