LAJMI I FUNDIT:

Ministri Zharku flet për Projektligjin e Automjeteve në mbledhjen e Qeverisë

Ministri Zharku flet për Projektligjin e Automjeteve në mbledhjen e Qeverisë

Është miratuar Projektligji për Automjetet në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Ky Projektligji është në përputhje të plotë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për eliminimin e të gjitha barrierave që pengojnë hyrjen e subjekteve të reja në treg dhe në mënyrë shprehimore përcakton obligimin për licencimin e më shumë subjekteve në secilën fushë që mbulon ky projektligj.


Në fjalën e tij në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se fushëveprimi ligjor i automjeteve është i rregulluar me Ligjin për Siguri në Komunikacionin Rrugor.
“Duke i pasur parasysh praktikat e vendeve të tjera të BE-së, ky ligj është ndarë në tri ligje: Ligji për Patentë shofer dhe Ligji për Rregullat në Trafikun Rrugor, të cilat tanimë janë miratuar edhe nga Parlamenti i Kosovës, kurse Projektligji për Automjete e kompleton këtë pako të ligjeve. Me këtë ligj përcaktohen kushtet bazë të pajisjeve dhe instalimeve, të cilat duhen t’i kenë mjetet, dimensionet, masa më e madhe e lejuar dhe ngarkesa boshtore e mjetit, si dhe kushtet, të cilat duhet t’i plotësojë mjeti në komunikacion, kushtet për importim, kontrollimi teknik i automjeteve, regjistrimi i automjeteve dhe çështje të tjera”, tha ministri Zharku.

Ministri Zharku theksoi rëndësinë e veçantë që i është kushtuar sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjes së ambientit me këtë ligj.
“Në kuadër të kësaj është paraparë kontrollimi teknik mobil, si shërbim shtesë mbi kontrollin e rregullt dhe periodik të automjeteve pjesëmarrëse në komunikacion dhe njëherit do të rritet monitorimi ndaj kualitetit të shërbimeve, të cilat i ofrojnë qendrat e kontrollimit teknik.

Sa i përket licencimit, për herë të parë në vendin tonë projektligji propozon licenca të përhershme për kontrolla teknike por me kusht që gjatë gjithë kohës t’i përmbushin kushtet e parapara me ligj”, tha ministri Zharku. /Telegrafi/