LAJMI I FUNDIT:

Ministri Rikalo mori pjesë në Forumin Global për Bujqësi dhe Ushqim në Berlin

Ministri Rikalo mori pjesë në Forumin Global për Bujqësi dhe Ushqim në Berlin

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, me ftesë të Ministrit të Ushqimit dhe Bujqësisë të Gjermanisë, Christian Schmidt, ka marrë pjesë në Forumin Global për Ushqim dhe Bujqësi, që është mbajtur në Berlin.

Në këtë forum kanë marrë pjesë ministra të sektorit nga vende të ndryshme të botës, por edhe personalitete të tjera që merren me sektorin e bujqësisë.

Ministri Rikalo po ashtu ka marrë pjesë edhe në Samitin e Ministrave të Bujqësisë, që është mbajtur në kuadër të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi.

Ndërkohë, gjatë ditëve sa ka zgjatur forumi, ministri Rikalo është takuar me homologun e tij gjerman, Christian Schmidt. Të dy ministrat biseduan për zhvillimin e sektorit në të dy vendet dhe për mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm. Ministri e falënderoi homologun gjerman për gatishmërinë e treguar në vazhdimësi që të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e mëtutjeshëm në sektorin e bujqësisë. Nga ana tjetër, ministri Schmidt shprehi gatishmërinë që të ofrojnë mbështetje për Kosovën në fuqizimin e mëtejmë të këtij sektori.

Krahas kësaj, ministri Rikalo është takuar edhe me homologët e tij nga Austria, Franca, Hungaria, si dhe me ata të vendeve të rajonit.

Përveç këtyre, ministri Rikalo ka qenë prezent edhe në hapjen e ngjarjes më të rëndësishme për bujqësinë dhe ambientin, “Java e Gjelbër Ndërkombëtare”, që po ashtu është mbajtur në Berlin, në të cilin janë prezantuar dhjetëra shtete nga e mbarë bota.

Ndryshe, pjesë e delegacionit të MBPZHR-së gjatë kësaj vizite ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Kapllan Halimi, si dhe Drejtori i Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Statistikave Bujqësore, Ekrem Gjokaj. /Telegrafi/