LAJMI I FUNDIT:

Ministri gjerman: Ekonomia e Evropës do të kthehet në nivelet e para pandemisë nëse punojmë së bashku

Ministri gjerman: Ekonomia e Evropës do të kthehet në nivelet e para pandemisë nëse punojmë së bashku

Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz ka thënë se ka besim që ekonomia mund të kthehet në nivelet e para pandemisë COVID-19 deri në vitin 2022.

Sipas Scholz, kjo mund të arrihet atëherë kur udhëheqësit evropianë punojnë së bashku.

“Nëse i shikojmë të dhënat, ne mund të jemi mjaft të sigurt për të ardhmen, kemi një rritje ekonomike, do të kemi një shans që të kthehemi në situatën që kemi pasur para krizës në fillim, ndoshta pak më herët. Pra, ekziston një zhvillim i mirë që mund të shohim, por duhet ta kuptojmë se të gjithë varen nga njëri-tjetri. Dhe kjo është edhe për ekonominë”, tha Scholz, përcjell Telegrafi.

Kufizimet e vendosura më parë gjatë vitit në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit COVID-19 kanë dëmtuar rëndë rritjen ekonomike dhe ndjenjat e biznesit në Evropë. Fondi Monetar Ndërkombëtar pritet të publikojë parashikime të azhurnuara ekonomike këtë javë, por në muajin qershor, Scholz tha se priste që ekonomia e Eurozonës të tkurrej me 10.2 për qind gjatë këtij viti.

Gjatë muajit korrik, udhëheqësit evropianë janë pajtuar për një buxhet prej rreth 1 trilion euro si dhe një Fond të Rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh.

Scholz tha se BE ka një mundësi për bashkim më të ngushtë fiskal tani, duke e përshkruar atë si “moment Hamiltonian” për rajonin, duke iu referuar marrëveshjes së arritur në 1790 nga sekretari i parë i Thesarit i SHBA-së, Alexander Hamilton për të kthyer borxhet e shteteve individuale në detyrime të përbashkëta të federatës. /Telegrafi/