Ministrat që largohen: Rexhepi, Krasniqi, Stavileci dhe Buja


Sipas të njëjtave burime, arsyeja pse emrat e tjerë që do të jenë pjesë e lëvizjeve nuk duan që për momentin t’i plasojnë, ka të bëjë me faktin që konsultimet janë të vazhdueshme, që po bëhen çdo ditë, dhe ka mundësi që një propozim i sotëm të ndryshojë të nesërmen.
Ajo që është më se e sigurt është se kësaj here ndryshimet sado të vogla qofshin ato, do të ndodhin para zgjedhjeve parlamentare.
“Deri në shkurt do të përfundojë procesi i riformatimit të Qeverisë”, ka thënë ky burim. Sipas tij, një prej arsyeve kryesore pse duhet të ndodhin këto ndryshime lidhet pikërisht edhe me zgjedhjet nacionale, të cilat pritet që të mbahen në qershor të këtij viti.
“Kjo për faktin se qëllimi është që të aktivizohen zyrtarë të partisë nga ato rajone, ku PDK nuk ka shumë vota, apo edhe ka humbur gjatë zgjedhjeve të fundit lokale.Dhe aktivizimi i njerëzve nga këto pjesë, është qëllimi që të rrisin votat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, shtoi ky burim.
Dy emrat të cilët do të rikthehen në poste ministrore, Arsim Bajrami, ishministër i Administratës Publike, dhe Zenun Pajaziti, ish-ministër i Punëve të Brendshme, nuk kanë pranuar që të japin detaje për gazetën “Zëri”.
Bajrami me t’u lajmëruar në telefon nuk ka dashur as të diskutojë për këtë çështje, kurse Pajaziti tha se ai ende nuk ka marrë ndonjë ofertë zyrtare. I pyetur nëse do ta pranojë, ai tha se asnjëherë obligimet që i janë dhënë nuk i ka refuzuar.
“Aktualisht jam i koncentruar në detyrën e deputetit. Nëse më ofrohet diçka e tillë, unë deri më tani çdo obligim që më është kërkuar e kam realizuar”, ka thënë Pajaziti.
Ndryshimet nuk do të jenë vetëm nga ministrat e PDK-së, por edhe të koalicionit qeverisës atij të Behxhet Pacollit. Ai konfirmojë se do t’i ndryshojë zëvendësministrat, dhe jo ministrat.
“Ministrat unë i kam perfekt. Do të ndryshohen disa zv/ministra ndonëse jo të gjithë sepse edhe ashtu kam pak në qeveri”, është deklaruar ai. /Zëri/






































