LAJMI I FUNDIT:

Mini-Jugosllavia, plus Shqipëria (e Madhe)

Mini-Jugosllavia, plus Shqipëria (e Madhe)

Në një satirë virtuale, me futboll, gjyqtari anësor ka ngritur duart për të sinjalizuar ndërrim në ekipin e Jugosllavisë. “Kosova po del, Shqipëria po hyn”, paralajmërohet me shkronja të mëdha ndërrimi në formacion. Anash humorin, por a mundet vërtetë Shqipëria të zëvendësojë Slloveninë dhe Kroacinë, në (kon)federatën e re që po projektohet? As që bëhet fjalë për zëvendësimin e Kosovës. Atë e duan brenda si Rama, ashtu edhe Vuçiqi. Anëtari i tretë i “trojkës” politike që luan “tetris” me kufijtë dhe me popujt, preferoi të rrijë në shpi. I treti nuk shkoi në Ohër.

Ka mendime se në Novi Sad filloi një projekt me emrin Mini-Shengeni Ballkanik, i cili në fund do të formalizohet si një union i ri shtetesh, si një mini-Jugosllavi e re, plus Shqipëria. Takimi i dytë i kësaj nisme u mbajt në Ohër. Tjetri do të mbahet në Durrës e kështu me radhë derisa të (zh)bëhet.


Presidenti Thaçi, pra nuk shkoi në Ohër. Nuk ishte as në Novi Sad, ku Vuçiq si nikoqir, nuk e kishte ftuar. Presidenti Vuçiq është betuar se nuk de e njoh kurrë Kosovën, së paku jo në kufijtë ekzistues, edhe pse me Thaçin e lidhë një “dashuri” e zhurmshme politike, sidomos mediatike.

Por, në Ohër e kishin ftuar presidentin Thaçi, edhe pse Serbia dhe Bosnja kishin refuzuar të ulen në një tavolinë me Kosovën. Ndoshta e kanë menduar që takimi të mbahej në këmbë. Pjesa kryesore e takimit edhe ashtu ishte konferenca e shtypit.

Vuçiqi imponon idenë se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë nuk ekziston. Natyrisht ai e kupton se për t-u bërë funksional kufiri i pretenduar Serbi-Shqipëri, duhet edhe Kosova të pranojë këtë marrëveshje e cila po quhet Mini-Shengeni Ballkanik. Ky emër po e irriton kryeministrin shqiptar i cili insiston se nuk ka këtu “mini” por se bëhet fjalë tamam për një “Shengen”.

Ndërkohë, kufiri Shqipëri-Serbi nuk ekziston për Shqipërinë zyrtare, sepse ajo e ka njohur Kosovën në kufijtë e saj. Në Morinë ka veç një vendkalim kufitar dhe ky është kufiri Kosovë-Shqipëri, aty nuk valon flamuri i Serbisë.

Marrëveshja pa Kosovën, e cila nuk do të pranonte të jetë anëtare pa njohje nga Serbia, do të ishte jofunksionale. Ajo do të sillte një situatë të re dhe krejt kjo do të përfundonte në një gjykatë ndërkombëtare e cila do të duhej sërish të deklarohej se ku dhe i kujt është kufiri. A ekziston për gjykatën ndërkombëtare kufiri Kosovë-Shqipëri? Vështirë se mund të paragjykohet vendimi i gjykatës ndërkombëtare edhe pse për ne është krejtësisht e qartë.

Ka edhe arsye të tjera përse presidenti ka hezituar të shkojë në Ohër. Në Ohër nuk ishin mbledhur homologët e tij ballkanikë, ndërkaq Kosova pritet të ketë një kryeministër i cili vetë do të udhëheq dialogun.

Por, të kthehemi te Samiti Ballkanik dhe te shqetësimet për formimin e njëlloj Jugosllavie të re, në të cilën presidenti Vuçiq dhe kryeministri Rama duan të e përfshijnë edhe Kosovën, pa ia njohur kufijtë. Ky duket të jetë një reagim ndaj bllokimit të procesit të integrimit të tyre në BE. Projektin evropian nacionalizmi serb nuk e ka problem ta zëvendësojë me një ide integruese e cila do t’i mblidhte në një shtet të gjitha territoret e pretenduara serbe, prej Kroacie deri në Greqi. Nuk ka rëndësi për serbët se si do të quhet. Për herë të parë, me aprovimin qeveritar të Edi Ramës, ka shumë gjasa që ata të realizojnë edhe ëndrrën shekullore për të arritur deri në Durrës. Vuçiqi paralajmëron arritjen e specialëve serbë në Durrës, në “uniforma” turistësh, në këmbim të domateve shqiptare. Vetëm kjo puna e domateve është origjinale. Kjo me turistët ishte ide e Putinit i cili, siç e dimë, e pushtoi Krimenë me “turistë”.

Tash, takimi në Ohër nuk do të ishte ky një takim homologësh dhe prezenca e presidentit Thaçi të gatshëm për të pranuar gjithçka, do të binte në sy si e sforcuar, si preferencë e binomit politik Rama-Vuçiq të cilët e shpërfaqën dashurinë e tyre politike qysh në takimin maratonik të dy qeverive në Nish të Serbisë.

Por, gjithsesi nuk është në rregull të paragjykohet. Në Kosovë ka ndodhur ndryshim. Ka ndërruar dhe struktura e Parlamentit. Presidenti nuk do të jetë më udhëheqës i dialogut. Në këto rrethana presidenti mund të ketë kuptuar se më mirë është të mos merret me aktivitete prapa të cilave nuk do të qëndronte Ekzekutivi dhe të cilat mund të jepnin arsye formale shumicës së re parlamentare për shkarkimin e presidentit. Kështu, mos shkuarja mund të hidhëronte miqtë e tij, por shkuarja mund të shkaktonte shkarkimin e tij dhe njëkohësisht edhe fundin e tij politik.

Pavarësisht motiveve, mos shkuarja e presidentit në Ohër, dhe pastaj edhe në Durrës, duhet të jetë mesazh për kryeministrin Rama se hyrja në një asociacion me Serbinë, përderisa ajo ende nuk e ka njohur Kosovën, do të thotë njohje e kufirit Kosovë-Shqipëri si kufi i saj me Serbinë, pra edhe të Kosovës si pjesë të Serbisë. Serbia edhe kufirin Kosovë-Maqedoni nuk e njeh, por e konsideron ende kufi të saj ndërkombëtarisht të njohur. Kështu, shkuarja e Thaçit në takim do të ishte njohje e këtij procesi.

A nuk tingëllon apokaliptike? Specialët serbë në “uniforma” turistësh pushtojnë Durrësin, ëndrrën mesjetare serbe. Jo thotë Rama, ata do të shpenzojnë lekët te ne, e ne do shesim domate në Serbi. Domatet i përmend edhe Vuçiqi. Relaks o njerëz, s’ka të bëjë me Kosovën. Edhe ashtu deri verën tjetër turistike, në pranverë do të mbahen zgjedhjet në Beograd ku Vuçiqi pritet të shpalosë ofertën e re turistike. Do të pushojmë në Durrës dhe në kufirin Serbi-Shqipëri nuk do të keni nevojë për pasaportë, do të mburret ai.