LAJMI I FUNDIT:

Microsoft prezanton programe e platforma që mbështesin sistemin arsimor

Microsoft prezanton programe e platforma që mbështesin sistemin arsimor

Microsoft në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI), Ministria e Administratës Publike (MAP) organizoi workshop një ditor “Microsoft in Education”.

Qëllimi i këtij workshop-i ishte që pjesëmarrësit të njohtohen me programet kyçe të Microsoft-it në fushën e edukimit duke mundësuar dhe lehtësuar realizimin e reformave dhe strategjive në fushën e TIK-ut. Prezantuesit e këtij workshopi nga Microsoft CEE shpalosën programe, platforma dhe aplikacione që lehtësojnë dhe mbështesin mësimdhënien dhe procesin e të mësuarit dixhital. Office 365 është një platformë e tillë e centralizuar që mundëson dhe lehtëson komunikimin dhe bashkëpunimin për të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës.


Poashtu u prezantuan edhe kurrikula dhe programe trajnimi për ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve në drejtim të përdorimit të teknologjive në mësim dhe transformim të të mësuarit. E gjithë kjo ka për qëllim që të sigurohet implementimi i duhur i teknologjive të reja të cilat do të mundësojnë novacione, përvoja të reja dhe arsim më të mirë.

Në workshop morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave të huaja ndërkombëtare që kanë mision të ngjashëm apo veprojnë në fushën e edukimit në vendin tonë. Organizimi i tillë vjen si rezultat i nënshkrimit të Memorandumit për Mirëkuptim në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ministrisë së Administratës Publike (MAP), dhe Microsoft-it, që ka për qëllim të krijojë bazë për një partneritet të vazhdueshëm, duke mundësuar që të gjitha komponentat dhe programet që përfshihen në memorandum të zbatohen në bashkëpunim dhe në afat të gjatë.