Macron nuk u gjunjëzua para Mbretit të Tajlandës, imazhi del të jetë me Al


Ministria e Jashtme e Tajlandës ka mohuar një pretendim viral në internet se presidenti francez Emmanuel Macron u gjunjëzua para Mbretit të vendit Maha Vajiralongkorn ndërsa i jepte nderimet më të larta shtetërore të Francës gjatë vizitës shtetërore të monarkut tajlandez në Paris.
Pretendimi u përhap pasi një imazh i gjeneruar nga Al qarkulloi gjerësisht në rrjetet sociale tajlandeze pas vizitës zyrtare të mbretit në Francë, e para e një monarki tajlandez që nga viti 1960, duke shënuar 170 vjet marrëdhënie diplomatike midis dy kombeve.
Gjatë një darke shtetërore në pallatin presidencial, Macron i dorëzoi mbretit 73-vjeçar Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit — çmimi më i lartë i Francës — dhe Mbretëreshës Suthida Kryqin e Madh të Urdhrit Kombëtar të Meritës, sipas mediave tajlandeze.
Menjëherë pas kësaj, një imazh u shfaq në internet që pretendonte se tregonte Macronin të gjunjëzuar para mbretit ndërsa ai i jepte çmimin.
Shumë komente në tajlandisht shprehën admirim në rritje për udhëheqësin francez, me njërin që e quajti atë "kaq simpatik" dhe tha se ai "kishte fituar plotësisht zemrat e tajlandezëve me këtë".
Një tjetër e përshkroi atë si një "udhëheqës të vërtetë".
Megjithatë, Ministria e Punëve të Jashtme e Tajlandës tha se nuk ka ndodhur një moment i tillë.
“Nuk ka asnjë provë për ndonjë imazh që tregon Emmanuel Macronin të gjunjëzuar për të paraqitur një dekoratë mbretërore”, tha një zyrtar i ministrisë.
Fotografitë zyrtare të publikuara nga ministria e jashtme e Tajlandës tregojnë Macronin në këmbë ndërsa i dorëzon çmimin.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që imazhet e gjeneruara nga Al të familjes mbretërore të Tajlandës janë bërë virale në internet. /Telegrafi/








































